TIRANË, 12 mars/ATSH/ Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë shtyllën kryesore për shumicën e ekonomive, por në Shqipëri pesha e tyre është edhe më e lartë krahasuar me ekonomitë e zhvilluara.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për vitin 2019, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kontribuonin me 81.6 % të punësimit të përgjithshëm në ekonomi. Në vendet e Bashkimit Europian pesha e këtyre ndërmarrjeve në punësim është më e vogël, me rreth 66.7 % të totalit.
Diferencë vihet re edhe në strukturën e prodhimit. Në Bashkimin Europian, SME-të gjenerojnë rreth 56.5 % të prodhimit të përgjithshëm, në Shqipëri ato sjellin afro 72.4 % të vlerës së shtuar.
Sa i përket numrit të ndërmarrjeve aktive, INSTAT raporton se përqindja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është 99.8 %, i njëjtë me nivelin në vendet e Bashkimit Europian.
Në numrin e të punësuarve në ndërmarrjet evogla dhe të mesme peshën më të madhe e zë sektori i tregtisë në të cilin janë të angazhuar 28.5 % e të punësuarve në NVM-e, ndërsa sektori me numrin më të vogël të të punësuarve në NVM-të është sektori i industrisë nxjerrëse me vetëm 1.8 %.
/r.e/





















