Ballina Aktualitet

Kodheli: Shqiptarët do të na votojnë për atë që kemi bërë këto 8 vite

TIRANË, 12 mars/ATSH/ Deputetja e Partisë Socialiste Mimi Kodheli duke e cilësuar “sfidë” renditjen në vendin e 21-të në listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Tiranës tha se “shqiptarët do të na votojnë për atë që kemi bërë këto 8 vite dhe për largpamësinë dhe vizionin që kemi për 4 vitet e ardhshme”.

Në intervistë televizive Kodheli tha se “besoj se po është sfidë, nuk është sfida ime e parë dhe mbase nuk do të jetë e fundit”.

“Kam pranuar të jem në zonat më të vështira të përfaqësoj PS duke filluar nga qarku i Korçës, deputete në Pogradec. Kam pasur një sfidë tjetër në 2013 kur kam drejtuar listën e PS në qarkun e Lezhës. Kam pasur një sfidë tjetër, atë të drejtimit dhe përfaqësimit të qarkut të Kukësit, zona të vështira nga pikëpamja e relievit, por mikpritëse e të besës. Kam qenë e deleguar e kryesisë dy vjet në qarkun e Dibrës, të Shkodrës, Vlorës dhe në fillimet e mia në qarkun e Tiranës ku kam mbuluar Kavajën, një zonë e konsiderueshme e djathtë në atë kohë”, – theksoi Kodheli.

Sipas saj, përveç debateve dhe sfidës së madhe për të qenë ministre e Mbrojtjes, kjo është një ndër sfidat e radhës, jo më e madhja, por as më vogla.

“Është një punë e vështirë se përballesh me gjykimin e qytetarëve dhe paragjykimin e tyre, shpeshherë je e detyruar të përballesh me lajme fake”, – shtoi Kodheli.

Deputetja Kodheli u shpreh se “jam e fokusuar tek kjo garë. Është një sfidë e vështirë, por jo e pamundur pasi ne kemi të gjitha forcat e tjera politike përballë, por ne kemi njerëzit përkrah. Nuk është e pamundur. Sondazhet kanë treguar se PS e ka lidershipin e të qenit akoma partia më e votuar në Shqipëri”.

“Shpresoj shumë që në atë parlament të hyjnë më të mirët. Ky popull meriton më tepër nga çka parë në atë Kuvend. Lista e PS-së është shumë e mirë. Shqiptarët do të na votojnë për atë që kemi bërë këto 8 vite dhe për largpamësinë dhe vizionin që kemi për 4 vitet e ardhshme. Programi i PS-së do të jetë i fokusuar tek ekonomia”,- tha Kodheli./k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – BE procedim ndaj Londrës për shkeljen e marrëveshjes Brexit
Artikulli tjetërCOVID-19 – Franca tejkalon 90 000 viktima që nga fillimi i pandemisë