Eksporti bruto i energjisë elektrike shënoi rritje me 25 %

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike gjatë vitit 2020 arriti vlerën 5315 GWh nga 5208 GWh energji të prodhuar në vitin 2019, duke shënuar një rritje të prodhimit me 2.1 %.

Sipas raportit të publikuar nga INSTAT, “Bilanci i energjisë elektrike”, ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 58.2 %, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 41.2 % dhe nga të tjerë prodhues (energji e rinovueshme) në masën 0.6 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.

Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), arriti vlerën 3239 GWh nga 3177 GWh që ishte një vit më parë, duke shënuar kështu një rritje me 2 %.

Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie), referuar të dhënave, arriti vlerën 963 GWh nga 770 GWh duke shënuar një rritje me 25 %.

Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët familjarë u rrit me 7.8 %, duke arritur vlerën 2964 GWh nga 2750 GWh që ishte në vitin 2019, ndërsa përdorimi nga konsumatorët jo familjarë u ul me 6.7 % duke arritur vlerën 2995 GWh nga 3210 GWh që ishte një vit më parë. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.