ZELANDË E RE – Rikufizime pas rasteve të reja me COVID-19

WELLINGTON, 27 shkurt /ATSH-AFP/ – Aucklandi, qyteti kryesor i Zelandës së Re do të rikufizohet duke nisur nga nesër për të paktën shtatë ditë pas zbulimit të rasteve të reja me COVID-19, njoftoi sot kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, ndërkohë që Kupa e Amerikës do të fillojë më 6 mars.

Ky kufizim i ri ndodh të paktën dy javë pas një kufizimi tre ditor në këtë qytet me 1,7 milionë banorë.

Duke nisur nga nesër në mëngjes, banorët e Auckland do të duhet të qëndrojnë në shtëpi përveç rasteve kur duhet të shkojnë në punë ose për të bërë blerje të domosdoshme.

Shkollat dhe dyqanet do të mbyllen. Hyrjet dhe daljet nga qyteti do të limitohen.

Pjesa tjetër e vendit do t’i nënshtrohet kufizimeve të nivelit dy që ndalojnë grumbullimet e më shumë se 100 personave dhe kërkojnë që maskat të mbahen në transportin publik.

Në Auckland, Ardern tha se një rast i ri i koronavirusit i konfirmuar sot është një shkak shqetësimi sepse ka të bëjë me një person ngjitës për një javë që nuk është izoluar.

Kufizimi i mëparshëm, që ishte i pari që prej gjashtë muajsh në Auckland, u vendos pas zbulimit të tre rasteve në qytet./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.