Seanca disiplinore e KLGJ/ Metani: Veprimet e gjyqtares Enkelejda Hoxha diskreditojnë figurën e gjyqtarit

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Veprimet e gjyqares Enkelejda Hoxha, diskretitojnë figurën e gjyqtarit. Artur Metani, kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë ka parashtruar qëndrimet e tij përballë Këshillit të Lartë të Gjyqësorit ndaj gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha, e cila u arrestuar për dy vepra penale.

Në KLGJ po zhvillohet këtë të enjte seanca disiplinore ndaj magjistrates së Krujës Enkelejda Hoxha.

“Nga analiza ligjore e fakteve të konstatuara gjatë hetimit displinor rezulton se nga ana e magjistrates Enkelejda Hoxha janë ndërmarrë veprime/mosveprime të cilat kanë të bëjnë me:  Mospërmbushjen e pajustifikuar të funksioneve gjatë gjykimit; Veprime dhe sjellje të magjistratit që ka sjellë përfitim të padrejtë për palët në një proces gjyqësor në kundërshtim me ligjin; Veprime dhe sjellje të magjistratit që ka sjellë përfitim të padrejtë për palët në një proces gjyqësor në kundërshtim me ligjin, si dhe në mosrespektim të rëndë dhe të vazhduar të legjislacionit material dhe procedural penal; Mosrespektim të rëndë dhe të vazhduar të legjislacionit material dhe procedural penal në dhënien e vendimit; Nxjerrja e akteve të paarsyetuara, në të gjitha ato raste kur ligji kërkon nxjerrjen e aktit në formë të arsyetuar. Në 5 procese gjyqësore është konstatuar një mungesë thelbësore në arsyetimin e vendimeve gjyqësore, të cilat detyrimisht duhet të jenë të arsyetuara, në zbatim të procesit të rregullt ligjor, dhe mundësisë për ushtrimin e kontrollit të tyre jo vetëm gjyqësor por dhe në këndvështrim të kontrollit për efekt procedimi disiplinor”, tha ai.

Në analizë të kriterit “shkalla e fajësisë dhe motivi” në raport me faktet e provuara në këtë proces hetimi disiplinor paraprakisht vlerësohet se: veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e magjistrates në çështjet objekt hetimi, nuk janë kryer në kuadër të paaftësisë së saj profesionale, por si rezultat i një veprimi të drejtpërdrejt dhe të vullnetshëm nga ana e saj; Nuk janë respektuar dispozitat penale me karakter urdhërues, të cilat parashikojnë kritere me karakter objektiv, ndalues dhe me një përmbajtje të drejtpërdrejtë dhe lehtësisht të kuptueshme për lirimin e të dënuarit, ku përvoja e gjatë profesionale në detyrë e magjistrates e lejon të interpretojë dhe zbatojë drejt këto dispozita; Këto veprime/mosveprime të saj janë kryer në mënyrë drejtpërdrejtë, të vazhduar, të vullnetshme dhe të pajustifikuar në 5 procese gjyqësore me të njëjtin kërkues Hekuran Billa dhe në 1 proces tjetër me kërkues I.P.

Në këto kushte, arrihet në konkluzionin se shkeljet disiplinore janë kryer nga ana e magjistrates Enkeleida Hoxha me “dashje direkte”. Sjellja në vijimësi e magjistrates nën hetim Enkeleida Hoxha mbi kërkesat e të dënuarit H.B duke shmangur pa shkak ligjor gjyqtarët e tjerë nga gjykimi i kërkesave të tij, pranimi i 5 kërkesave në kundërshtim me ligjin dhe në shkelje flagrante të tij, duke sjellë edhe lirimin e të dënuarit Hekuran Billa nga burgimi i cili nga një vendim fillestar me burgim të përjetshëm nga  autoriteti i huaj gjyqësor, pas njohjes së tij me 25 vite burgim, përfundoi duke vuajtur në shtetin shqiptar vetëm 3 vite burgim në një kohë që mas dhënies së vendimit të njohjes nr. 1016/2016, i kishin mbetur për të vuajtur edhe 16 vite 4 muaj referuar urdhrit të ekzekutimit të prokurorit, provohet mungesën e kriterit objektiv të paanshmërisë në gjykim si dhe diskretiton rëndë figurën dhe pozitën e gjyqtarit si brenda vendit ashtu edhe në marrëdhënie me autoritetet gjyqësore të huaja, vendimet e të cilave njihen dhe ekzekutohen në shtetin shqiptar”, tha Metani.

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pezulluar me 15 shkurt nga detyra gjyqtaren e Krujës, Enkeleida Hoxha. Vendimi nga KLGJ erdhi pasi GJKKO e ka lënë gjyqtaren në masën e sigurisë arrest me burg.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar më herët masën e sigurisë arrest në burg për shtetasen Enkelejda Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim.

Gjyqtarja u arrestua me kërkesë të SPAK më 11 shkurt.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.