Dy mole të reja në Vaun e Dejës dhe Koman/ Beci: Projekte ambicioze për turizmin përgjatë vijës liqenore të HEC-ve

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka nisur vënien në zbatim të disa projekteve ambicioze për zhvillimin e turizmit përgjatë vijës liqenore të Komanit dhe Vaut të Dejës.

Ndërhyrjet synojnë ta kthejnë zonën në një destinacion të tërheqjes turistike, urë lidhëse me qytetin e Shkodrës dhe Alpet shqiptare.

Drejtori i përgjithshëm i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Benet Beci bëri të ditur se, “në hidrocentralin e Komanit, po planifikojmë të ndërtojmë Muzeun Kombëtar të Energjisë”.

“Ky muze i hapur për vizitorë nga vendi e të huaj, do të shërbejë si tribut për të gjithë kontribuesit, por edhe si një hapësirë prezantuese e veprave industriale të përmasave europiane”, – u shpreh Beci.

“Tre hidrocentralet në kaskadën e Drinit janë pasuria më e madhe që kemi, por jo gjithmonë jemi të ndërgjegjshëm për këtë, e për më tepër banorët e kësaj zone nuk kanë marrë vëmendjen e duhur në këmbim të kontributit të jashtëzakonshëm që i jep vendit kjo pjesë e Shqipërisë”, – vijoi ai.

Prej më shumë se një viti, Korporata ka nisur punën për hartimin dhe çuarjen përpara të projekteve që jo vetëm synojnë t’i japin zhvillim zonës, por do të përmirësojnë turizmin dhe do të tregojnë mirënjohjen për të gjithë ata që jetën e tyre profesionale e jo vetëm, e lidhën me ndërtimin e këtyre veprave dhe furnizimin me energji të gjithë vendit, prej më shumë se dyzet vitesh.

Të gjitha këto arsye ishin fokusi i bashkëbisedimit me banorë të bashkisë së Vaut të Dejës, ku kreu i KESH-it theksoi se, “krahas ndërtimit të rrugës Vau i Dejës-Koman, që prezantuam pak ditë më parë, puna jonë vazhdon me hartimin e një projekti që synon ndërtimin e dy moleve të reja në Vaun e Dejës dhe në Koman”.

Sipas tij, liqeni i Vaut të Dejës dhe bukuritë e tij të rralla natyrore e kulturore do të arrihen më lehtë, ndërsa porti në Koman, që shërben si pikënisje e trageteve për në Alpe dhe varkave për në lumin e Shalës, do të transformohet duke u zgjeruar dhe duke ndërtuar qendrën e menaxhimit të lundrimit dhe informacionit për të gjithë luginën e Drinit.

KESH e ka miratuar në buxhetin e këtij financimin e ndërtimit të këtyre projekteve, që do të vendosë në hartën e turizmit të Shqipërisë, një hapësirë tërheqëse shumë të ndryshme, mes Shkodrës, bregdetit dhe Alpeve shqiptare.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.