TIRANË, 2 shkurt/ATSH – A. Fortuzi/ Gjatë konferencës së përjavshme për shtyp, Kryeministri Edi Rama, u pyet nga gazetarët lidhur me deklaratën e Koordinatorit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Europian, Michael Gahler, duke theksuar se qëndrimet që lidhen me vaksinën vlejnë për interesin e të gjithë shqiptarëve dhe s’mund të ketë asnjë lidhje mes vaksinimit dhe zgjedhjeve të vitit 2019, apo mosdakordësive të brendshme në vendin tonë.
“Ku lidhen zgjedhjet e 2019-ës me vaksinën? Lidhen me faktin se ka marrë informacion të njëanshëm nga Shqipëria, që e kanë burimin nga kanalet e SHQUP-it? Ku jeni ju në këtë mes, jeni me Shqipërinë dhe domosdoshmërinë që shqiptarët të kenë vaksinën, apo me koordinatorët e Parlamentit të BE, që merren me histori që nuk kanë asnjë lidhje me vaksinën? Ku hyni ju këtu, keni hall që përgojohet BE? Çfarë përgojimi ka këtu? Si mund të përdoret ky term? Këto të gjitha janë përgojime, krejtësisht të pabazuara në fakte të vendit tonë. Por për këto nuk fajësoj koordinatorët e PE. Por e di kush janë fajtorët, janë ato që nxjerrin rrugëve të botës, llafet e zeza për Shqipërinë dhe duan të vijnë në qeveri me pseudo programe, që bëjnë me turp njerëz që dinë të bëjnë dy llogari”, – tha Rama.
“Unë nuk kam përgojuar BE-në, por kam thënë atë që po thonë sot të gjithë. E dëgjoni se çfarë po thotë Presidentja e KE për vaksinën, po përgojon Europën ajo? Po pse kur unë flas, në rastin konkret nuk flas për shtëpinë time, apo për hallet e mia, flas dhe për ty, dhe për ju. Kur flasim këtu me njëri-tjetrin për programet e partive, është krejt normale, që unë flas për një palë, e ti për një palë tjetër, por kur flasim për të tjerët, kur flas unë për të tjerët, unë flas dhe për ty dhe për ju. Ky është dallimi mes vendeve ku kanë politikanë seriozë e parti serioze, e është tjetër kur flasim për vende ku politika është një cirk ku nuk mbarojnë karagjozët. Këtu bëhet fjalë për njerëzit tanë, për gjyshërit dhe prindërit tanë”, – tha Rama.
“Kur flitet për vaksinën e kur flitet për këtë situatë që nuk e krijuam ne, s’e krijoi Shqipëria, por u krijua nga një qasje, e përsëris prap, dritëshkurtër, e palogjikshme dhe praktikisht, shiko rezultatet. Nuk ka nevojë ta mbrojë asnjë koordinator i Parlamentit të PE-së BE-në nga unë. E mbroj vetë BE, më mirë se çdo koordinator i BE, le të jetë gjerman, spanjoll, anglez, holandez, ç’të dojë le të jetë. Po të jetë puna për devocion për BE, jam vetë që e mbroj më mirë se të gjithë”, – tha Rama.
“Këta janë mësuar të flasin kështu. Ushqehen nga Tirana. Mbështeten nga Tirana. Prandaj janë mësuar të flasin kështu, pasi për fat të keq furnizohen e ushqehen nga Tirana. Pse, ne s’meritojmë të kemi vaksinën se s’kemi dakordësi për zgjedhjet e 2019? Apo që ne s’meritojmë të vaksinohemi si në Gjermani, apo kudo qofshim se s’kemi rënë dakord për 5 qershorin? Dokrra të pakonceptueshme. Është për të ardhur keq, që këto janë produkt ‘Made in Albania’, jo ‘Made in Gjermani’. Dezinformim dhe manipulim, i njëanshëm”, – deklaroi Rama.
“Cili 5 qershor? Unë njoh 1 qershor, s’di ndonjë festë tjetër në qershor. Çfarë është 5 qershori? Ç’punë ka këtu një koordinator i Parlamentit Europian? E kam thënë dhe herë të tjera, po e zgjas për ju si shqiptarë, mos harroni këtë, pastaj jeni gazetarë, pastaj jeni të punësuar në një ekran apo një ekran tjetër, pronarë që ju shtyjnë majtas apo djathtas. E mos u jepni kaq shumë zë e figurë, vëmendje këtyre lloj tipave që nuk i njeh njëri në vendin e tyre”, u shpreh Rama, duke shtuar se, “është një gjë që nuk ndodh në asnjë vend. Ju nuk jeni fajtorët, por bashkëfajtorë, që merrni pjesë në këtë karagjozllëk kaq të madh, që disa politikanë që duan pushtet, të bëhet Shqipëria copë, sa herë që hapin gojën, me gjysmë të vërteta që janë gënjeshtrat më të mëdha, që ushqehen nga këtu me dezinformim të vazhdueshëm dhe keqpërdoren nga këtu”. /r.e/






















