Kryemadhi: Prioriteti ynë, përfshirja e të rinjve në politikë dhe vendimmarrje

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi zhvilloi sot një takim me votuesit për herë të parë në zonën e Laprakës.

Kryemadhi u shpreh në takim se, “hartimi i politikave të LSI ka të bëjë në radhë të parë jo vetëm me arsimin, por me një arsim cilësor, në mënyrë të tillë që t’ju garantojë një punësim të mirëpaguar”.

“Një nga problemet kryesore që kanë prindërit është largimi i të rinjve nga Shqipëria, sepse mundësitë për punësim janë shumë të vogla”, tha ajo.

“Ashtu sikurse mungesa e kulturës politike është pjesë e jetës së përditshme dhe ne shikojmë politikën e konfliktit, politikën e arrogancës dhe asnjëherë nuk shikojmë një perspektivë pozitive për të rinjtë, pra për të krijuar hapësira që ata jo vetëm të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, por të krijojnë edhe një mirëqenie ekonomike”, theksoi Kryemadhi.

“Një nga problemet kryesore që ka sot Shqipëria është një arsim jo cilësor, por nga ana tjetër edhe mungesa e konkurrencës në tregun e punës, apo edhe cilësia e një diplome, e cila nuk është konkurruese jo vetëm në rajon, por edhe në vende të tjera”, shtoi Kryemadhi.

Ndërkohë që, vijoi kryetarja e LSI, “ne kemi shumë të rinj dhe të reja, të cilët pavarësisht mundësive që kanë pasur, ata kudo që kanë vajtur, kanë pasur një vlerësim jo vetëm për shkak të aftësive të tyre, por kanë pasur edhe mundësinë për të krijuar rritje profesionale, por ka pasur edhe të përfshirë në jetën politike, qofshin ato edhe në parlamentet e vendeve të tjera”.

“Ndërkohë që, për Lëvizjen Socialiste për Integrim, angazhimi i të rinjve është një nga pikat kryesore, sepse krijimi i hapësirave të të rinjve për t’u përfshirë në politikë, por jo vetëm në politikë, por edhe në vendimmarrje ka qenë një nga premtimet e mbajtura më shumë se çdo gjë tjetër”, tha Kryemadhi. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.