Marrëveshja me Pfizer për vaksinat antiCovid/ Rama: Qëllimi të sigurojmë sasinë në raport me planin kombëtar të vaksinimit

TIRANË, 18 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Kuvendi do të votojë për finalizimin e marrëveshjes me kompaninë ‘Pfizer’ për sjelljen në Shqipëri të masës së parë të vaksinave”.

“Kemi dakordësuar me ‘Pfizer’ për 500 mijë doza dhe në kontratën e nënshkruar pak më parë, pas një negociate jo të lehtë, do thosha, është marrë parasysh edhe nevoja potenciale e mëtejshme”, tha Rama, duke folur në seancën e çeljes së sesionit të ri parlamentar.

Kryeministri u shpreh se, “qëllimi ynë ka qenë të sigurojmë fillimisht një sasi vaksinash për një pjesë të procesit të vaksinimit, duke pasur parasysh raportin e sasisë me kalendarin e Planit Kombëtar të Vaksinimit dhe duke mos harruar se ndërkohë janë një sërë vaksinash të tjera, qoftë ato që tanimë presin me ditë aprovimin, qoftë vaksina ‘Astra Zeneca’ e cila është aprovuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe pret aprovimin në nivelin europian, qoftë edhe vaksinat që janë në dalje e sipër”.

Rama shtoi se, “është shumë e rëndësishme të kihet kjo parasysh, siç ne e kemi mbajtur parasysh për faktin se do të ishte, sipas nesh, e nxituar dhe e gabuar të kontraktonim menjëherë të gjithë sasinë e nevojshme të vaksinave për të gjithë periudhën e vaksinimit, duke pasur parasysh edhe çmimin, i cili është çmim fiks i pangociueshëm për të gjitha vendet që kanë marrë vaksinën ‘Pfizer'”.

“Por duke pasur parasysh edhe procesin e vaksinimit përmes kësaj vaksine, që është një proces me 2 doza, i përshkallëzuar në kohë dhe me një sërë elementësh të tjerë sigurie që ne i kemi garantuar, por që gjithsesi në tërësinë e vet kjo vaksinë ka shtrenjtësi në raport me të tjerat”, theksoi Rama.

“Jemi në negociata të vazhdueshme dhe në komunikime të vazhdueshme, qoftë në nivelin e komunikimit me kompanite, qoftë në nivelin e komunikimit me një sërë shtetesh të tjera, pasi i gjithë procesi i shpërndarjes së vaksinës është një proces shumë më i ndërlikuar nga çfarë duket, edhe pse qoftë dhe në dukje nuk është një proces i lehtë”, u shpreh Kryeministri Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.