Ballina Ekonomi

Fiskalizimi/ Tatimet, takime me biznesin për problematikat e hasura në fillim të zbatimit të procesit

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve po vijon fushatën e informimit të bizneseve mbi procesin e Fiskalizimin, faza e parë e të cilit nisi zbatimin nga 1 janari i këtij viti.

Drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj zhvilloi disa takime për përfaqësues të shoqatave biznesit dhe kontabilistët në Tiranë, për të shpjeguar hapat që duhet të ndiqen për të bërë pjesë e këtij procesi, ashtu si dhe përfitimet që Fiskalizimi sjell në ekonomi.

“Qëllimi i këtij takimi ishte informimi si dhe sqarimi i paqartësive dhe problematikave të hasura në fillimin e implementimit të këtij procesi të rëndësishëm”, bën të ditur DPT.

Reforma e Fiskalizimit krijon një mekanizëm të mbikëqyrjes në kohë reale, të pajisjeve fiskale që operojnë me para në dorë dhe atyre pa para në dorë.

Prej datës 1 janar, faturat që lëshohen për entet publike/shtetërore duhet të jenë fatura elektronike, të cilat shkëmbehen nëpërmjet platformës qendrore të faturave.

Ky është hapi i parë i përshtatjes me një sistem novator, që lehtëson dhe përshpejton proceset e punës dhe komunikimin me Administratën Tatimore.

Më datë 1 korrik 2021 do të nisë Fiskalizimi për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve. Më datë 1 shtator 2021 do të nis për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit pavarësisht përgjegjësisë tatimore apo qarkullimit vjetor të realizuar.

Fiskalizimi i faturave ka efekt pozitiv në të gjithë ekonominë e Republikës së Shqipërisë, por veçanërisht tek bizneset, pasi shkëmbimi i automatizuar i faturës elektronike shkurton kohë dhe është më i sigurtë.

Që prej 1 janarit kur nisi zbatimin procesi i Fiskalizimit, 351 ente publike janë fiskalizuar në të gjithë vendin, ku vetëm në qarkun e Tiranës janë 182.

Ndërsa, sipas të dhënave të bëra publike nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, deri tani numri i bizneseve që është pajisur me certifikatë elektronike në gjithë vendin është 2948, ndër to 1407 në Tiranë.

Në total llogariten 7600 biznese që nisin prej 1 janarit zbatimin e sistemit të ri të lëshimit të faturave tatimore, të njohur si Fiskalizimi. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTemperaturat zbresin në -6°C/ MIE: Kujdes ngricat, po kryhet shpërndarja e kripës
Artikulli tjetërMutacioni anglez i COVID-19/ Alimehmeti: Në Shqipëri mund të ketë raste, por nuk na shqetësojnë