LONDËR, 15 janar /ATSH-AFP/ – Prodhimi i Brendshëm Bruto britanik pësoi një rënie prej 2,6% në nëntor pas gjashtë muajve radhazi rritje, në sfondin e kufizimeve për të luftuar kundër valës së dytë të koronavirusit të ri.
“Një kufizim ishte vendosur veçanërisht për Anglinë, më pak i ashpër se kufizimi aktual, ndërkohë që shkollat vazhdojnë të jenë të hapura”, nënvizoi Zyra Kombëtare e Statistikave në faqen e saj të internetit.
“Në nëntor, PBB ishte 8,5% nën nivelin e muajit shkurt, përpara tronditjes së plotë të pandemisë”, theksoi ajo.
PBB-ja ra kryesisht për shkak të shërbimeve, të cilat drejtojnë ekonominë e Britanisë së Madhe, ndërkohë që sektori i ndërtimit ka vazhduar të regjistrojë një rritje të aktivitetit të tij.
Në shërbime, ishin kryesisht hotelet, restorantet dhe shërbimet ushqimore që janë goditur më shumë, të detyruara të mbyllin portat e tyre për të luftuar kundër përhapjes së koronavirusit në një pjesë të madhe të vendi, ashtu si tregtia me shumicë ose pakicë, institucionet artistike dhe sektorët e argëtimit.
“Është e qartë se gjërat do të bëhen më të vështira përpara se të përmirësohen dhe shifrat e sotme janë një dëshmi e sfidave me të cilat përballemi”, theksoi kancelari i Thesarit Rishi Sunak.
“Ka arsye për të qenë shpresëdhënës”, shtoi ai, duke iu referuar veçanërisht fushatës së vaksinimit dhe “planit të punësimit” të qeverisë./ /ec/