Ballina Ekonomi

Moti i keq/ Verdho: Përdoruesit e mjeteve të përdorin goma dimri

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin tonë gjatë 48 orëve të fundit kanë shkaktuar probleme në qarkullimin e mjeteve, për shkak të rënies së inerteve mbi trupin e rrugës, kryesisht në rajonin e Jugut.

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho foli sot mbi problematikat për shkak të reshjeve dhe masat e marra për përballimin e kësaj situate.

“Fluksi i shirave gjatë këtyre orëve të fundit është tej normave të caktuara, rrugët kanë kanalet e tyre që po pastrohen, kanë pusetat dhe gjithë elementët që përballojnë këto shira. Kapacitetet e madha të prurjeve në këto momente kanë dhënë problematika”, u shpreh ai gjatë një interviste në medie.

Sipas kreut të ARRSH-së, aktualisht situata është problematike në akset Skuraj- Peshkopi, Këlcyrë-Përmet dhe Hani i Hotit-Tamarë.

“Zona të cilat kanë problematika janë Skuraj- Peshkopi, Këlcyrë-Përmet, aksi Hani i Hotit-Tamarë. Ne po ndërmarrim masa shtesë për përballimin e situatës. Jemi 24 orë në terren për përballimin e saj”, tha Verdho.

“Deri të mërkurën do të kemi reshje, i sinjalizoj të gjithë përdoruesit e mjeteve që të marrin goma dimri. Në zonat ku ka dëborë të marrin edhe zinxhirë me vete. Policia të jetë pranë rrugëve, për të demonstruar se kjo është një situatë e jashtëzakonshme atmosferike”, deklaroi Verdho. /a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSituata e furnizimit me energji/ OSHEE: Të gjithë hidrovorët janë në punë
Artikulli tjetërNga viti 2020 Toka rrotullohet më shpejt, ditë me të shkurtra edhe në 2021