Ballina Aktualitet

Raporti i TI/ PD: Në këto 7 vjet është ngritur një sistem korruptiv

TIRANË, 16 dhjetor /ATSH/ Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se, “raporti i Transparency International konfirmoi se korrupsioni është rritur si rezultat i vullnetit politik të Ramës, që ka shkatërruar ekonominë, ka rritur kostot e jetesës dhe na mban peng tek oligarkët dhe larg BE”.

“Këto 7 vjet, shqiptarët e kanë ndjerë në lëkurë dështimin e qeverisjes”, tha ajo duke shtuar se “një nga dështimet më të mëdha lidhet me korrupsionin”.

Tabaku tha se korrupsioni qeveritar, shkaktar për rrënimin e përditshëm të ekonomisë së çdo familje shqiptare, ka marrë përmasa shqetësuese ndërkombëtare.

“Organizata e specializuar për këtë çështje, Transparency International ngre alarmin se gjatë qeverisjes së Edi Ramës në këto 7 vjet është ngritur një sistem korruptiv, që mund të konsiderohet si kapje e shtetit. Transparency International tregon se korrupsioni është rritur si rezultat i vullnetit politik të Ramës, që ka shkatërruar ekonominë, ka rritur kostot e jetesës dhe na mban peng tek oligarkët dhe larg Bashkimit Europian”, shtoi Tabaku.

Sipas saj në raport, “dy janë elementet kryesore për Shqipërinë: mosndëshkimi për korrupsionin e nivelit të lartë dhe ligjet e bëra sipas dëshirës. Ligjet preferenciale si ai i Korporatës së Investimeve, ligji special për teatrin, ligjet që ulin taksa për sektorë si minierat, ndërkohë rrisin taksat për 97% të bizneseve janë qartazi shembuj të kapjes së shtetit”.

Ndërsa ish-deputeti i PD Enkelejd Alibeaj tha se “në 7 vjet, Edi Rama nuk ka punuar për qytetarët. Ka punuar për veten dhe për organizata kriminale, të cilat e kanë ndihmuar të blejë vota, ndërsa qeveria u ka lehtësuar, fjala vjen, trafikun ndërkombëtar të drogës”.

“Raporti i Transprency International konfirmoi pikë për pikë gjithçka Partia Demokratike ka denoncuar gjatë këtyre viteve në opozitë”, theksoi ai. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBashkia e Gjirokastrës dhe ambasada italiane, projekte të përbashkëta në turizëm dhe kulturë
Artikulli tjetërQendër e re shëndetësore në Peqin, Manastirliu: Testimi i shpejtë do të kryhet me rezervim nga mjeku i familjes