TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi sot se angazhimi për luftën kundër kanabisit do të thellohet.
Në një prononcim për mediet, pas analizës së zhvilluar me strukturat drejtuese të DVP Vlorë dhe komisariateve të kësaj drejtorie, Lleshaj tha se, “DVP Vlorë ka arritur të godasë fort fenomenin e kultivimit të kanabisit në gjithë qarkun duke shënuar rezultate të rëndësishme”.
Lleshaj nënvizoi se, “krahas rezultateve ka pasur dhe mangësi, të cilat i evidentuam dhe për të cilat janë marrë dhe do të merren masa”.
“Angazhimi për luftën kundër kanabisit do të thellohet. Bashkë me përfundimin e operacionit për 2020, fillon tani operacioni i Policisë për të goditur tentativat për vitin 2021”, theksoi Lleshaj.
Ministri Lleshaj tha se, “qasja do të ndryshojë, do të goditet përmes hetimeve proaktive, përmes kërkimit dhe gjetjes së rrjeteve të furnizimit me fara e me elementë të tjerë”.
“Brenda muajit mars 2021, do kemi mundësi të bëjmë një bilanc të angazhimit të Policisë së Shtetit kundër tentativave për kultivim kanabisi”, nënvizoi Lleshaj.
“Goditja e fortë kundër pasurive të gjeneruara nga veprimtari kriminale ka sjellë që e gjithë tabloja e kriminalitetit në vend, të pësojë tkurrje të ndjeshme”, theksoi Lleshaj.
Ministri i Brendshëm shtoi se, “rezultatet e OFL flasin për një numër shumë të madh pasurish të paluajtshme, që janë sekuestruar e janë në rrugën e konfiskimit e vënies në shërbim të publikut”. /r.e/






















