Kuvendi shpall vendin vakant për Inspektor të Përgjithshëm të ILDKPKI

TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ Kuvendi shpalli sot vendin vakant për Inspektor të Përgjithshëm të ILDKPKI.

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në drejtimin e kryetarit Ulsi Manja dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës, shqyrtoi projektvendimin për shpalljen e vakancës së Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).

Në nisje të mbledhjes, kryetari i Komisionit, Ulsi Manja, parashtroi se Kuvendi ka zgjedhur Shkëlqim Ganaj, në detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave me një mandat 7-vjeçar.

Më tej Manja sqaroi se Kuvendi i Shqipërisë  jo më vonë se tre muaj përpara përfundimit të mandatit publikon shpalljen për vendin vakant të kreut të  ILDKPKI-së.

Shpallja do të publikohet për një afat 20-ditor dhe më pas kandidaturat që plotësojnë kriteret dhe do të përzgjidhen, do ti kalojnë për shqyrtim seancës plenare.

Projektvendimi u miratua me shumicë votash nga anëtarët e pranishëm në mbledhjen e komisionit.

Në bazë të këtij vendimi Kuvendi fton për paraqitjen e kandidaturave për Inspektor të Përgjithshëm, individët që janë shtetas shqiptar; kanë mbaruar arsimin e lartë juridik ose ekonomik në profilin financë, Diplomë e Nivelit të Dytë; kanë vjetërsi në profesion, si jurist ose ekonomist financier, jo më pak se 15 vjet; nuk janë dënuar penalisht me vendim të formës së prerë; nuk janë anëtarë të partive politike, deputet, ministër, zëvendësministër, pjesëtar në strukturat e Policisë së Shtetit, Forcat e Armatosura dhe Shërbimin Informativ Shtetëror.

Kandidatët duhet të paraqesin dokumentacionin e kërkuar pranë sekretarisë së Kuvendit brenda 20 ditëve nga publikimi i këtij njoftimi. Afati i fundit për paraqitjen e kandidaturave është 10.12.2020.

Propozimi i çdo kandidature duhet të përmbajë: CV-në e nënshkruar në çdo faqe nga kandidati. Librezë pune ose vërtetime të tjera që provojnë përmbushjen e kriterit ligjor të përvojës në punë prej jo më pak se 15 vite në profesion, si jurist ose ekonomist financier. Diplomën dhe listën e notave të përfundimit të arsimit të lartë. Deklaratë e Konfliktit të Interesit që gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi. Vërtetim i gjendjes gjyqësore.

Formularin e vetëdeklarimit në zbatim të ligjit 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i cili gjendet i publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë si dhe bashkëlidhur këtij njoftimi.

Formularin e plotësuar në zbatim të ligjit nr.45/2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, i cili gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.