TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Shkolla “Neim Babameto” në Durrës e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, është gati të rihapë dyert pas rindërtimit për 794 nxënësit e saj.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako e cila shprehet se, “një tjetër shkollë e re është gati për të hapur dyert për 794 nxënësit e saj”.
“Shkolla “Neim Babameto”, e cila u shkatërrua nga tërmeti, u rindërtua tërësisht një vit më pas. Shkolla e re ka 28 klasa, 4 laboratorë dhe palestër”, tha Sako.
Kryebashkiakja Sako nënvizon se nxënësit dhe stafi pedagogjik i kësaj shkolle do të jenë tashmë në ambiente moderne, me standarde të larta dhe me kushte të njëjta me shkollat europiane.
Shkollat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit do rindërtohen me financim nga buxheti i shtetit. Me financimin e buxhetit të shtetit do rindërtohen 143 shkolla të reja me standarde europiane të cilat do jenë gati brenda vitit 2021. /a.a/r.e/























