Ballina Ekonomi

“Basha bën demagogji”/ Balluku: PD, rasti më i pastër i qeverisë që ka lidhur koncesione në kurriz të popullit

TIRANË, 11 nëntor/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se Partia Demokratike është rasti më i pastër i qeverisë që ka bërë dhe lidhur koncesione në kurriz të popullit.

Gjatë një interviste në medie, Balluku u shpreh se pavarësisht se ne i kemi çuar këto dosje pranë organeve të drejtësisë, ka qenë shumë e vështirë masa për prishje të koncesionit.

Ndaj, Balluku e cilësoi demagogji deklaratën e kreut të PD-së, Lulzim Basha për prishjen e kontratave koncesionare.

Sepse, shtoi Balluku, nuk prishen koncesionet me vrull revolucionar, pasi nuk është revolucioni i manifakturave në Anglinë e 1600-ës.

“Nuk ka mundësi të jenë kaq aventurier në të vërtetë. Opozita po kërkon të vijë në pushtet, ndërkohë që popullit i duhen zgjidhur hallet, dhe më mirë se qeveria e Edi Ramës nuk besoj se e bën kush. Ne jemi një qeveri që kemi treguar kapacitete shumë të larta në periudhë krizash si në periudhën e tërmetit apo pandemisë, sipas kritereve europiane”, deklaroi ministrja.

Lidhur me koncesionet e dhëna nga qeveria e Partisë Demokratike, ministrja tha se koncesionet që kanë patur probleme i janë dhënë drejtësisë.

“Pastaj se si drejtësia performon, ju e dini shumë mirë dhe kjo është arsyeja se pse reforma në drejtësi ka qenë një ndër ‘kuajt e betejës’ së kësaj qeverie dhe ne shpresojmë që ajo të përmbyllet sa më shpejt, pasi kjo është edhe ajo që partnerët tanë presin për të patur një drejtësi e cila bën drejtësi”, theksoi Balluku.

Sipas saj, anulimi i koncesioneve nuk bëhet se e thotë dikush për arsye elektorale.

“Koncesionet kur janë nënshkruar nga zyrtarë të qeverive, secili që e ka nënshkruar ka patur një përgjegjësi si ligjore, ashtu edhe politike. Koncesionet e anuluara kanë kosto, ndaj dhe nuk anulohen sa hap e mbyll sytë. Partia Demokratike është rasti më i pastër i qeverisë që ka bërë dhe lidhur koncesione në kurriz të popullit. Pavarësisht se ne i kemi çuar këto dosje pranë organeve të drejtësisë ka qenë shumë e vështirë masa për prishje të koncesionit. Ti e çon në organet e drejtësisë për t’i dhënë një zgjidhje ligjore, por nuk merr dot një vendim për të prishur koncesione ashtu si kryetari i opozitës thotë. Ndaj unë e quaj demagogji, sepse nuk prishen koncesionet me vrull revolucionar. Kjo nuk është revolucioni i manifakturave në Anglinë e 1600-ës”, deklaroi Balluku.

Ministrja theksoi se për të gjitha koncesionet e miratuara nga qeveria socialiste janë ndjekur porcedura ligjore dhe kemi kërkuar një mbështetje nga këshilltarë me eksperiencë të huaj apo vendas.

“Ka një proceudurë që kam ndjekur. Kërkojmë një studim të miratuar më parë. Kemi kërkuar një mbështetje nga këshilltarë me eksperiencë të huaj apo vendas dhe nuk kemi ecur në errësirë. Nëse kemi nisur një procedurë koncesionare e kemi bërë me përgjegjësi të plotë për të mirën e zhvillimin e vendit, për rritjen e ekonomisë dhe gjithçka tjetër që është në të mirën e qytetarëve”, vuri në dukje ajo.

Lidhur me debatin mbi inceneratorët, Balluku tha se Partia Demokratike nuk ka asnjë fakt që hedh poshtë ato projekte.

“Narrativa politike pa fakte nuk ka. Kemi organe të drejtësisë, SPAK është ngritur. Ata t’i dërgojnë atje dhe ne jemi të gatshëm të përballemi me ta. Të gjithë mund ta shohin çfarë po ndodh në Sharrë dhe të gjithë e kanë parë fushën e Spitallës dhe sot atje po ndërtohet një ekopark”, deklaroi ministrja./a.gjonaj/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakATHINË – Hardalias: Shtetrrethim nate mbarëkombëtar nga 13 nëntori
Artikulli tjetërShtim i vetëvrasjeve në gjithë botën për shkak të pandemisë/ Raste të shumta në Itali e Turqi, fenomeni prek dhe mjekët