Ballina Aktualitet

Nisma japoneze për Ballkanin Perëndimor, mbështetje për Shqipërinë dhe integrimin e rajonit

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti ambasadorin e Japonisë, Makoto Ito, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Shqipëri.

Kryetari Ruçi shprehu mirënjohjen e Kuvendit ndaj parlamentit dhe qeverisë së Japonisë për forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit me Shqipërinë si edhe vlerësoi kontributin dhe përkushtimin e ambasadorit Ito në forcimin dhe promovimin e këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat: politike, ekonomike, arsim, kulturë etj.

Japonia gjatë 20 viteve të fundit ka qenë nga vendet donatore më të rëndësishëm për Shqipërinë. Ka dhënë rreth 400 milionë USD mbështetje financiare në formë grantesh, asistencë për bashkëpunim ekonomik, kredi të buta në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, mjedis, energjetikë etj. Mes dy vendeve janë nënshkruar 15 marrëveshje dhe janë në proces disa të tjera. Janë financuar rreth 21 projekte në mbështetje të zhvillimit të komuniteteve.

“Në saj të kontributit tuaj, bashkëpunimi ndërparlamentar midis të dy vendeve është rritur. Vizita e delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë në Tokio në tetor-nëntor të vitit të kaluar i dha një shtysë te re këtyre marrëdhënieve. Bashkëpunimi shqiptaro-japonez është rasti tipik kur distanca fizike sfidohet nga ndjenjat e ngrohta të miqësisë dhe bashkëpunimit. Rritja e interesit gjeopolitik të Japonisë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, me Iniciativen e Bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor krijon mundësi të reja bashkëpunimi konkret me Japoninë. Gjithashtu, ajo vlerësohet maksimalisht dhe konsiderohet si një nismë shumë e rëndësishme për zhvillim dhe mbështetje për integrimin e vendeve te rajonit”, theksoi Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Ambasadori Makoto Ito falënderoi kryetarin Ruçi për fjalët e ngrohta dhe vlerësimin e bashkëpunimit shqiptaro-japonez. Japonia do të vazhdojë të ndihmojë Shqipërinë dhe Ambasada e Japonisë në Tiranë do të vazhdojë të punojë që bashkëpunimi dypalësh të zgjerohet në të gjitha fushat.

Ambasadori Makoto Ito është ambasadori i parë rezident në Shqipëri. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNeozelandezët kanë numrin më të madh në botë të deputetëve LGBTIQ
Artikulli tjetërITALI – Lombardia drejt vendosjes së shtetrrethimit antiCovid-19