Ballina Aktualitet

Përshpejtimi i Vetingut për kandidaturat e Gjykatës së Lartë/ Takim koordinues KLGJ-KPK-KPA

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Funksionimi i Gjykatës së Lartë është thelbësor për vijimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, ftoi në një takim koordinues kryetaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Pamela Qirko dhe kryetaren e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Albana Shtylla, me qëllim përshpejtimin e procesit të rivlerësimit, të kandidaturave nga sistemi gjyqësor, për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën e Lartë përveçse është prioritet për Këshillin e Lartë Gjyqësor, kërkon edhe një bashkëpunim të ngushtë mes të gjitha organeve kushtetuese të cilat garantojnë funksionimin e shtetit të së drejtës, pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe rikthimin e besimit të publikut tek institucionet e këtij sistemi.

Për këtë arsye, roli i organeve të Vetingut është i rëndësishëm me qëllim rritjen e mundësisë së zgjedhjes nga ana e KLGJ-së së kandidaturave më me integritet, profesionalizëm dhe besueshmëri për të shërbyer pranë kësaj Gjykate.

Drejtueset e institucioneve të rivlerësimit kalimtar shprehën angazhimin e tyre për trajtimin me prioritet të subjekteve të rivlerësimit që kanë kandiduar për vendet vakante në Gjykatën e Lartë, në përputhje me rregullat procedurale në fuqi.

Funksionimi i Gjykatës së Lartë është thelbësor për vijimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, po aq sa është edhe sigurimi i një aksesi efektiv në drejtësi për qytetarët e Shqipërisë.

/gj.mima/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLinde: Mbështesim integrimin e Shqipërisë në BE, e suksesshme në fushën e Drejtësisë
Artikulli tjetërLirohet nga detyra drejtori i AKU-së, zëvendësohet nga Bledar Skënderi