TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Lirohet nga detyra drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Robert Lili, ndërsa në vendin e tij u emërua Bledar Skënderi.
Ky vendim u mor në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi e falënderoi për kontributin e deritanishëm dhe punën e lavdërueshme të bërë në drejtimin e AKU-së, procesin e nisur të reformimit dhe shndërrimit të AKU-së në një njësi inteligjente.
Lili do të vijojë angazhimin profesional brenda strukturave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
“Po sot, me vendim të Këshillit të Ministrave është emëruar drejtori i ri i këtij institucioni, Bledar Skënderi. Shprehim besimin se ai do të punojë me përkushtim dhe do të çojë përpara procesin e ristrukturimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit i nisur nga paraardhësi i tij, si dhe do të adresojë si duhet të gjitha sfidat dhe problematikat që lidhen me sigurinë ushqimore në vend”, – tha Çuçi./k.s/r.e/