TIRANË, 2 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive, Shqipëri-Kosovë kemi dakordësuar disa marrëveshje konkrete dhe për pak javë do të vizitoj Kosovën me një delegacion modest për nga numri, por për një çështje shumë të rëndësishme për të firmosur përfundimisht edhe marrëveshjen që e kalon doganën e Durrësit në dispozicion të plotë të Kosovës”.
Në fjalën e tij në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, pas mbledhjes së dy qeverive mbajtur në Tiranë, Rama tha se “kjo marrëveshje e kthen portin e Durrësit në një port të Kosovës de facto, që do të thotë çdo mall i ardhur në Durrës për të shkuar në Kosovë kur shkarkohet në Durrës është shkarkuar në Kosovë. Aty janë autoritetet doganore të Kosovës që e marrin e trajtojnë dhe çojnë lejen për në destinacion”.
Kryeministri Rama tha gjithashtu se “jam shumë i kënaqur që më në fund, imagjinoni se sa kohë kemi humbur, kemi çliruar përfundimisht edhe krahun e punës në Kosovë dhe Shqipëri, në kuptimin që kushdo që të punojë në Shqipëri nga Kosova apo kushdo që do të punojë në Kosovë nga Shqipëria nuk ka më nevojë për t’u sorollatur për letra pune. Është njësoj si të jetë aty ku ka rezidencën dhe aty ku ka pasaportën si rezident”.
“Është kërkesë e kahershme e sipërmarrjes në dy anët e kufirit nuk e di sa e justifikueshme është që kjo dhe të tjera gjëra që lidhen drejtpërdrejtë me jetën e njerëzve janë penguar, anashkaluar në emër të luftërave imagjinare, ndërkohë që lufta ka shumë e shumë vite që ka mbaruar e vetmja luftë që ka sot Kosova është lufta për zhvillim, zgjerim dhe integrim”, – theksoi Rama.
Duke folur për liberalizimin e vizave për Kosovën, Rama u shpreh se “Kosova ka që në 2018 që ka plotësuar 95 kriteret, një për një për liberalizimin e vizave dhe pret dhe merr refuzime nga Bashkimi Europian, pa pikë turpi, për çështje s’kanë të bëjnë me Kosovën, por me dinamikat e brendshme elektorale në vende të ndryshme të BE-së, sipas rasteve kur mblidhnin konsultat në Bruksel për të marrë vendime”.
“Ndërkohë që edhe ne të gjithë se, unë po e po, po e mësojmë që ecuria në procesin e integrimit europian lidhet sa me atë që bëjmë ne vetë aq edhe me atë që s’ka të bëjë me ne fare. Nganjëherë më shumë me atë që s’ka të bëjë me ne sesa me atë që ka të bëjë me, atëherë ne paralelisht duhet të hapim komplet së paku atë që mund të hapim, që është hapësira mes nesh dhe hapësira në rajonin tonë për t’u integruar në BE patjetër, sepse BE dhe integrimi në BE nuk ka alternativë”, – theksoi Rama.
Ndërsa, vijoi Kryeministri, shpallja e luftërave me Facebook, Twitter e Instagram, shfaqje dhe manifestime kërcënuese deri edhe të dhunshme ndaj njëri-tjetrit në emër të flamurit, kombit, të Ismail Qemalit e Skënderbeut, janë pjesë e një farse që ka të bëjë me fantazmat e të shkuarës që vazhdojnë ushqejnë në boshllëk shumëkënd që hallet dhe problemet reale të përditshme i ka të tjera.
“Pa këto halle e probleme të përditshme që ne duhet të zgjidhim drejtpërdrejtë dhe që nuk mund t’i ngushëllojmë duke krijuar iluzione luftërash dhe iluzione betejash finale vendimtare”, – tha Rama./k.s/ /a.g/ /r.e/






















