Ballina Ekonomi

Korridor dixhital Prishtinë-Tiranë mbështetur në teknologjinë 5G

TIRANË, 2 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive Shqipëri-Kosovë e vuri theksin sot edhe tek ndërlidhja, veçanërisht bashkëpunimi në fushën e ndërlidhjes dixhitale dhe asaj hekurudhore.

Në fjalën e tij Kryeministri Rama theksoi se “sot hedhim një hap të rëndësishëm për eksplorimin e mundësive për ndërtimin e linjës hekurudhore mes dy vendeve në kuadrin e zhvillimeve të korridoreve rajonale hekurudhore si dhe bashkëpunimit të ndërsjelltë teknik dhe profesional”.

“Ky hap do të kërkojë kohën e vet, por shkon në paralel me atë që praktikisht po realizojmë një port të përbashkët në Durrës, të Shqipërisë dhe Kosovës dhe në funksion të gjithë rajonit, që pa diskutim e kërkon vetiu një lidhje të shumfishtë nga pikëpamja e transportit përfshi edhe hekurudhën”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se “së shpejti nisim më në fund pas një odiseje të gjatë në labirinthin e procedurave të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, ky hap tjetër besoj që shkon në drejtimin e duhur, ashtu sikundër shkon në drejtimin e duhur edhe angazhimi për të zhvilluar korridorin dixhital Prishtinë-Tiranë mbështetur në teknologjinë 5 G”.

Në këtë pikë, vijoi Rama, dua të rikonfirmoj qëndrimin e qeverisë tonë dhe timin personal, të bërë me dije me shkrim për kryeministrat e rajonit kohë më parë, që vendet e rajonit tonë duhet të shikojnë perspektivën e një zhvillimi të teknologjisë 5G të bazuar në një rrjet të sigurt në çdo aspekt.

“Sigurisht duhet të synojnë alternativën e duhur të ofertës që ekziston sot, dhe për sa na takon si Shqipëri është një ofertë e dyshimtë”, – tha Rama./k.s/ /a.g//r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKursi i këmbimit/ Euroja humb pikë, dollari forcon pozitat në raport me lekun
Artikulli tjetërMosliberalizimi i vizave/ Kosova, peng i dinamikave të brendshme nga disa vende të BE-së