TIRANË, 2 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se mosliberalizimi i vizave për Kosovën nuk është për arsye se Kosova nuk i ka kryer detyrat.
“Mosliberalizimi i vizave për Kosovën është një turp për Bashkimin Europian. Një turp i pashlyeshëm dhe i pajustifikueshëm për sa kohë mos liberalizimi i merituar, jo sot, por prej disa kohësh mbetet në fuqi, jo për arsye se Kosova nuk ka bërë detyrat, por për arsye se Kosova është marrë peng i dinamikave të brendshme, në vende të caktuara të Bashkimit Europian”, tha Rama gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës, që po mbahet në Tiranë.
Kosova, vijoi Kryeministri, është marrë peng i logjikës elektorale në vende të ndryshme të Bashkimit Europian.
“Kosova duhet të presë sa të mbarojnë një palë zgjedhje në një vend dhe kur ka zgjedhje në një vend tjetër, ndërkohë që duket surreale, por i bie që e vetmja gjë që duhet të uroj është fundi i demokracisë dhe fundi i proceseve zgjedhore në Europë, që të mund të marrë liberalizimin e vizave”, theksoi ai.
“Kam folur pa pushim për këtë temë me ata që kam takuar dhe sa herë i kam takuar në Europë dhe akoma sot nuk arrij dot të kuptoj asgjë në ato që thonë, por kuptoj që arsyeja është ajo që nuk thonë”, shtoi Rama.
Kosova, tha Rama, e paguan me mosliberalizim të vizave, Shqipëria e Maqedonia e Veriut e paguajnë me sajesa pas sajesash, sipas konfiguracionit elektoral, në një vend dhe në një vend tjetër dhe rajoni e paguan në tërësi.
Kjo, sipas tij, është edhe arsyeja që nëse bashkëpunimi dhe integrimi rajonal absolutisht nuk është një alternativë e integrimit europian, është padyshim një valvul e rëndësishme shkarkimi, për sa i përket presionit të madh dhe objektiv mbi tregjet shumë të vogla që ne jemi të ndarë nga njëri-tjetri.
“Zgjerimi i tregjeve dhe integrimi i tyre në rajon nuk sjell asgjë të keqe përkundrazi sjell më shumë ekonomi, punësim dhe më shumë mundësi për paqe dhe për zgjidhjen përfundimtare të çështjes themelore që është njohja e Kosovës nga Serbia”, deklaroi Rama. /a.gjonaj/ /a.g//r.e/























