Dimali, pjesë e destinacioneve turistike

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Inaugurohet sheshi qendror i bashkisë Dimal, ish-Ura Vajgurore, ku deri më tani janë rikonstruktuar me fondet e bashkisë së qytetit dhjetë sheshe.

Ministri i Turizmit, Blendi Klosi, theksoi se Dimali duhet të jetë një destinacion turistik për kulturën, historinë e vjetër të qytetit dhe produktet e tjera agroturistike të tij.

Ministri Klosi tha se procedura për ndryshimin e emrit nga Ura Vajgurore në Dimal ka mbështetjen e qytetarëve. “Janë bërë dëgjesat publike në gjithë komunitetin dhe më vjen mirë të ndajë me ju informacionin se të gjithë banorët e 4 njësive të ish-bashkisë Ura Vajgurore tashmë Bashkia Dimal, kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të marrë një emër që në fakt, vjen nga lashtësia, por që dëshmon frymën e re që ka marrë e gjithë bashkia në 4 njësitë e saj për të promovuar një ndjesi të re pozitive për t’i ofruar gjithë qarkut të Beratit një Urë të re tashmë me emrin Dimal”, – tha Klosi.

Ministri Klosi tha se Dimali duhet të jetë pjesë e destinacioneve turistike. “Është ura hyrëse e një qarku turistik që e ka realisht shumë të nevojshme që këtu në Bashkinë e Dimalit të ketë një ndalesë të tij për të ofruar agro turizëm për të ofruar mikpritjen e këtyre njerëzve për të ofruar shumë jetën kulturore pra për të qenë një destinacion turistik për bashkinë e Beratit. Besoj që në kuadër të strategjisë për të ofruar një qark bashkia e Dimalit të jetë një destinacion i ri për pushuesit dhe për ata që duan të vizitojnë historinë e vjetër të këtij qarku”, – tha ministri Klosi.

Kryetarja e bashkisë së Dimalit, Juliana Memaj, u shpreh se ka një plan strategjik për zhvillimin e kësaj bashkie.

“Bashkia Ura Vajgurore sikundër dhe e ndryshuam emrin nga Ura Vajgurore në Dimal ka një plan strategjik për zhvillimin e saj, pjesë e të cilit është dhe brandimi i qytetit. Në fakt edhe ky aktivitet që i jep puls jetës së qytetarëve, përmirëson jetën e tyre, është një aktivitet i planifikuar pjesë e këtij plani për brandimin e qytetit dhe është një aktivitet që ka filluar që vjet dhe gjithë muaji gusht çdo pasdite nga orari 6 me 8 është muzik live duke ju dhuruar banorëve një atmosferë të gëzueshme në qytetin tonë dhe do të vijoj çdo vit duke u përmirësuar cilësinë, duke bërë të mundur që të ftojmë dhe qytetarë jashtë qytetit tonë, qytetarë që ndodhen jashtë kufirit tonë”, – tha Memaj.

“Megjithatë ne jemi mbledhur për inaugurimin e sheshit në qendër të qytetit një investim i Bashkisë është sheshi i 10 që ne bëjmë në territorin e bashkisë sonë. Kemi përfunduar gati 37 projekte në të gjithë bashkinë në çdo fshat e çdo lagje dhe ky është sheshi i 10-të që ne kemi përfunduar”, – tha Memaj.

“Për shumë vite ka qenë në një gjendje shumë të keqe, ku banorët edhe pse në qendër të qytetit kishin pluhurin mik të tyre, kishin baltën, po sot janë shumë të kënaqur me këtë atmosferë që ka krijuar edhe ky shesh me fondet e bashkisë Ura Vajgurore dhe së shpejti do të fillojmë rikonstruksionin dhe të dy urave të lumit Osum, që dhe ato do të jenë disa objekte ikona për qytetin tonë, sepse dhe për nga arkitektura janë të veçanta”, – nënvizoi kryebashkiakja Memaj.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.