Skema Kombëtare/ 1418 fermerë përfitues deri tani, pagesa e kryer në vlerën 284.133.200 lekë

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) po vijon kryerjen e pagesave, subvencion për fermerët e kualifikuar përfitues nga Skema Kombëtare e Mbështetjes për Bujqësinë 2020.

“Pagesa të kryera deri në datë 07.08.2020 nga Skema Kombëtare e mbështetjes për fermerët e këtij viti, janë dhënë për 1418 fermerët përfitues në vlerën totale prej 284.133.200 lekë”, njofton AZHBR.

Brenda një periudhe dymujore, nga mbyllja e afatit të aplikimeve (19 qershor), është shpallur vija e financimit dhe lista e fituesve, në fazën e parë, lista e përditësuar me numrin e shtuar të fermerëve përfitues nga buxheti shtesë prej 400 milionë lekë, ndërsa është publikuar dhe lista e tretë me 800 fermerë të tjerë përfitues në 4 masat e mbështetjes të Skemës dhe po vijon disbursimi i pagesave të drejtpërdrejta për fermerët fitues.

Ndërkohë administrata e AZHBR-së po vijon me verifikimin në terren për secilin nga rastet e fituesve të Skemës Kombëtare 2020.

E gjithë struktura e AZHBR-së, që nga pranuesi i aplikimeve në Agropika, deri tek ekzekutuesi i pagesës dhe dërgimi në Thesar, po kryen të gjithë procesin në kohë rekord.

Skuadra e AZHBR-së, përqafon filozofinë për të qenë një administratë e zhdërvjellët, që nuk harxhon kohë, nuk gjen justifikime për kohë të vështira dhe është pranë fermerit në çdo moment që kërkohet asistenca e ndihma e AZHBR-së.

/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.