BRAZIL – Inteligjencë artificiale për zbulimin e COVID-19

BRAZILIA, 4 gusht /ATSH-AFP/ – Algoritme për zbulimin e problemeve të mushkërive.

Në Brazil, një vend i goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit, inteligjenca artificiale (IA) po u vjen në ndihmë mjekëve për të diagnostikuar rastet e infeksioneve me Covid-19 dhe për të kompensuar mungesën e kontrolleve në masë.

Sistemi RadVid-19, i zhvilluar nga kompania kineze ”Huawei” dhe ajo gjermane ”Siemens”, ka funksionuar që nga prilli në këtë vend ku janë identifikuar 2,6 milionë pacientë, nga të cilët rreth 95 000 kanë vdekur.

Mjekët mund të paraqesin një skanim me rreze X ose CT të kraharorit të pacientëve të tyre për analiza me algoritme dhe për të identifikuar kështu njollat ​​në mushkëri.

“Softueri i identifikon këto zona dhe vlerëson mundësinë e kontraktimit të Covid-19”, shpjegon Marcio Sawamura, zëvendësdrejtor i Institutit të Radiologjisë së Spitalit të Klinikave të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Sao Paulo (USP).

Në kompjuterin e tij, praktikuesi mund të analizojë qarqet e bardha dhe të verdha që identifikojnë lezionet.

Ai gjithashtu mund të krahasojë rrjedhën e infeksionit me imazhet e mëparshme.

I krijuar me mbështetjen, ndër të tjera, të Bankës Interamerikane të Zhvillimit (IDB), programi tani është në dispozicion në 43 spitale braziliane, 60% e të cilave janë institucione publike.

Sawamura thekson se vlerësimi i parë i vendosur nga inteligjenca artificiale nuk zëvendëson testet diagnostikuese të përcaktuara nga mjeku.

Por, lejon, sipas tij, të parashikojë ofrimin e trajtimeve në këtë vend ku presidenti i ekstremit të djathtë Jair Bolsonaro ka vazhduar të minimizojë pandeminë dhe ku nuk është vendosur asnjë fushatë masive testimi.

Në pesë muaj, Brazili, me një popullsi prej 212 milionë banorësh, ka kryer vetëm 2,7 milion teste virologjike PCR dhe 4,4 milionë teste serologjike./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.