TIRANË, 3 gusht/ATSH/ “Teuta” është ekipi fitues i Kupës së Shqipërisë, për edicionin 2019-2020.
Durrsakët fituan finalen ndaj “Tiranës”, së saposhpallur kampione e vendit në Kategorinë Superiore me rezultatin 2-0. Pjesën e parë “Teuta” kalon në avantazh në minutën e dytë falë Rustem Hoxhës, i cili shënon pas një krosimi nga goditja e këndit.
Me këtë rezultat mbyllet fraksioni i parë i lojës. Në pjesën e dytë skuadrat finaliste kanë vijuar sërish luftën sportive për të shënuar në portën kundërshtare, ka qenë minuta e 78-të, kur Lorenco Vila shënon për durrsakët, “Teuta” 2-0 “Tirana”.
Me këtë rezultat, mbyllet finalja dhe “djemtë e detit” që triumfojnë në Kupën e Shqipërisë 2020.
Finalja e kupës u zhvillua mbrëmjen e djeshme në stadiumin “Air Albania” ndërsa medaljet dhe trofeun për fituesit e kësaj kupe e dorëzoi presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dhe sekretari i përgjithshëm, Ilir Shulku.
Ky vit përkon edhe me 100-vjetorin e të dyja ekipeve, ku secila fitoi nga 1 trofe të rëndësishëm. /r.e/























