Ballina Bota

ITALI – Di Maio: Mbështetja e Gjermanisë për çështjen e migrantëve mesazh i rëndësishëm

ROMË, 3 gusht /ATSH-ANSA/ – Ministri italian i Punëve të Jashtme, Luigi Di Maio falenderoi Gjermaninë për mbështetjen e shprehur përsa i përket çështjes së imigrantëve.

“Faleminderit mikut tim dhe kolegut Maas. Fjalët e tij sot janë një mesazh i rëndësishëm për Italinë”, theksoi ministri italian i Punëve të Jashtme, Luigi Di Maio.

“Ne kemi thënë gjithmonë që çështja e migrantëve nuk mund të trajtohet vetëm nga vendi ynë. Sepse kushdo që mbërrin në brigjet tona ka mbërritur në tokë europiane”, shtoi ai.

“Sot Gjermania deklaroi se nuk do ta linte vetëm Italinë. Ajo na ka shtrirë dorën, në sajë, gjithashtu, të marrëdhënieve të bashkëpunimit të sinqertë dhe të ngushtë mes dy vendeve tona”, theksoi Di Maio.

“Tashmë ne kemi nevojë për një përgjigje nga e gjithë Europa”, shtoi Di Maio.

“Ne nuk do ta lëmë vetëm Italinë, nuk do të përsërisim gabimet e të kaluarës”, deklaroi më herët ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas duke iu referuar një vale të re migracioni nga Tunizia.

“Kriza e koronavirusit ndikon në flukset migratore më Mesdhe”, theksoi Maas duke nënvizuar se ”Italia ishte goditur papritur nga një valë e fortë migrantësh të ardhur nga Tunizia këto javët e fundit. Ne nuk mund ta lëmë vetëm në këtë situatë. Ne e kemi bërë tashmë këtë gabim në të kaluarën dhe ne nuk mund ta përsërisim”, shtoi ai./ /ec/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Teuta”, fituesja e Kupës së Shqipërisë për edicionin 2019-2020
Artikulli tjetërFOTO- Diplomohen oficerët e rinj në FA/Xhaçka: Akademia hap dyert për studimet bachelor