Ballina Bota

MOSKË – Rusia shpreson prodhimin e 200 milionë dozave të një vaksine antiCOVID-19

MOSKË, 20 korrik /ATSH-AFP/ – Rusia shpreson të prodhojë me partnerët e saj rreth 200 milionë doza vaksinash kundër koronavirusit këtë vit, nëse provat klinike do të jenë të suksesshme, theksoi sot një zyrtar i lartë rus.

“Faza e parë e provave klinike në Rusi ka përfunduar dhe e dyta përfundon më 3 gusht”, deklaroi Kirill Dmitriev, president i Fondit Sovran rus që financon zhvillimin e vaksinës ruse, në një intervistë për faqen “Stopcoronavirus.rf”.

Sipas tij, faza e tretë e provave do të zhvillohet si në territorin rus ashtu edhe në disa vende të tjera, veçanërisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, Turqi dhe Afrikë dhe të pritet të çertifikohet në Rusi që prej gushtit.

“Menjëherë pas kësaj, ne parashikojmë prodhimin në masë”, theksoi Dmitriev.

“Fondi sovran rus pret që vendet partnere të miratojnë çertifikimin e vaksinës në shtator”, sipas të njëjtit burim.

“Menjëherë pas çertifikimit, vaksina do të prodhohet në Rusi dhe në vendet e tjera partnere, ndërkohë që prodhimi total do të arrijë në 200 milionë doza deri në fund të vitit, prej të cilave 30 milionë doza do të prodhohen në Rusi”, theksoi Kirill Dmitriev.

Ky njoftim erdhi ndërkohë që Britania e Madhe, SHBA-ja dhe Kanadaja akuzuan javën e kaluar shërbimet sekrete ruse se qëndronin pas sulmeve të kryera nga hakerat për të marrë në dorë kërkimet përsa i përket një vaksine kundër koronavirusit./ /ec/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBankat presin rritje të kërkesës për kredi nga biznesi i vogël dhe i mesëm
Artikulli tjetërMbyllja e klubeve të natës e ndalimi i muzikës pas orës 20:00/ Bino: Synojnë shmangien në mënyrë maksimale të grumbullimeve