Mbyllja e klubeve të natës e ndalimi i muzikës pas orës 20:00/ Bino: Synojnë shmangien në mënyrë maksimale të grumbullimeve

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ – Nga sot hyn në fuqi Akti Normativ i cili ndalon hapjen e klubeve të natës, diskove, lounge bareve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve. Sipas këtij akti, gjithashtu ndalohet muzika pas orës 20:00 në të gjithë mjediset e shërbimeve të çfarëdolloji.

Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, u shpreh sot në një intervistë televizive lidhur me këto vendime të qeverisë se masat e marra së fundi janë që të shmangen në mënyrë maksimale grumbullimet.

“Ekspertët, duke parë eksperiencën e shumë vendeve, ndalojnë të gjitha ato që bëhen sebep i grumbullimit të njerëzve. Këto janë për të penguar grumbullimin e njerëzve. Grumbullimi çon në shtimin e rasteve, edhe pastaj me pasojë vdekjen. Kjo mund të mos jetë për të rinjtë, por është për ata që infektohen nga të rinjtë”, tha Bino.

Bino tha se kjo bëhet edhe për distancimin social. “Në ambiente të tilla kemi konsum më të lartë alkooli, kemi muzikë. Grumbullimi është një element që na dëmton në luftën kundër koronavirusit”.

Bino vuri në dukje se është vënë re një ndërgjegjësim mes qytetarëve të cilët kanë nisur t’i mbajnë maskat në ambientet ku kërkohet kjo masë.

“Ka pasur një ndërgjegjësim, ka rritje të përgjegjshmërisë për mbajtjen e maskave”.

Sa i përket pishinave, Bino u shpreh se për to nuk ka ende një vendim ndërsa shtoi se shkak për mos hapjen e tyre janë kushtet higjieno-sanitare dhe distanca që nuk mund të mbahet në këto ambiente.

Në lidhje me numrin e testimeve, Bino u shpreh se dje, “ka qenë ditë e diel dhe janë marrë një numër ndoshta më i vogël testesh dhe lajmërimesh nga qytetarët, por duhet të them se deri tani ka një numër të lartë mostrash të cilat  kanë ardhur pranë laboratorit”.

E pyetur për faktin që 1 në 3 tampon del pozitiv, Bino tha se, “kjo është shumë shqetësuese, tmerrësisht shqetësuese”.

“Pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet që janë forcuar të gjitha këto masa. Dhe natyrisht numri i testimeve do të rritet. Këto teste që janë marrë janë teste përfaqësuese, që lidhen me shtrime në spitale, nga mjekë të familjes. Nuk kanë qenë të lidhura vetëm me hetimin epidemiologjik. Kanë qenë teste të cilat janë përfaqësuese. Dhe nga testi përfaqësues ti mund të marrësh një indikacion se çfarë po ndodh”, u shpreh Bino.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.