Bankat presin rritje të kërkesës për kredi nga biznesi i vogël dhe i mesëm

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Në tremujorin e tretë të vitit bankat presin rritje të kërkesës për kredi si nga biznesi i vogël, ashtu dhe ai i mesëm.
Banka e Shqipërisë publikoi raportin e vrojtimit të kreditimit për tremujorin e dytë 2020 ku citon se, “në terma të qëllimit të përdorimit, rritja e pritur e kërkesës për kredi është e përqendruar vetëm në kreditë për likuiditete, ndërkohë që ajo për investime pritet sërish në rënie”.
Bazuar në gjykimet e bankave, kërkesa e ulët për kredi nga ana e bizneseve në tremujorin e dytë u ndikua nga përkeqësimi i besimit të biznesit; rënia e theksuar e nevojave për financimin e investimeve; situata aktuale ekonomike dhe perspektiva e saj; si edhe
nevoja më e ulët për financim për bashkimin apo ristrukturimin e kompanive, ndikuar nga situata COVID-19. e.xh/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.