Ballina Ekonomi

Projekti plotëson të gjitha standardet/ Hapet tenderi për ndërtimin e spitalit të Laçit, i dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Qeveria shqiptare ka hapur garën ndërkombëtare për ndërtimin e spitalit të Laçit, i dëmtuar nga tërmeti i fortë që goditi vendin tonë 26 nëntorin e vitit që lamë pas.

Ftesa për ofertë u botua sot në Fletoren Zyrtare.

Projekti për ndërtimin e spitalit të ri të Laçit është tashmë gati dhe banorët do të kenë një godinë me të gjitha kushtet dhe standardet, pas shembjes së spitalit të vjetër të dëmtuar rëndë nga tërmeti.

Për ndërtimin e spitalit të ri, do të përdoren një pjesë e fondeve të kredisë që qeveria shqiptare ka marrë pranë Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e “Përmirësimit të Sistemit Shëndetësor në Shqipëri”.

Ofertuesi duhet të demonstrojë se ka burime të mjaftueshme financiare, të tregojë se ka qasje ose ka në dispozicion asete likuide, pasuri të patundshme të pakontrolluara, linja kredie dhe mjete të tjera financiare (të pavarura nga paradhëniet kontraktuale pagesa) të mjaftueshme për të përmbushur kërkesat e fluksit të parave të ndërtuara, të vlerësuara si 2 480 000 euro apo në 5 vitet e fundit të ketë realizuar projekte me vlerë mesatare 6 700 000 euro.

Për pranimin e ofertave të prokurimit do të ndiqen procedurat ndërkombëtare të përcaktuara në udhëzimet e Bankës Botërore.

Të gjitha ofertat duhet të jenë të shoqëruara me sigurimin e ofertës nëpërmjet garancisë bankare në vlerën e 66 mijë eurove, po ashtu nuk duhet të dorëzohen elektronikisht dhe jashtë afatit të përcaktuar.

Afati për dorëzimin e ofertave është data 24 gusht 2020. Punimet për spitalin rajonal të Laçit pritet të zgjasin 4 muaj. /a.gjonaj/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOTO/ Berat, nis restaurimi i çative në lagjen Goricë
Artikulli tjetërKëmbimi valutor/ Sezoni veror forcon pozitat e lekut