SHKUP, 13 prill /ATSH-MIA/ – Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut njoftoi 68 raste të reja në 24 orë duke e çuar në 862 numrin e rasteve të konfirmuara me koronavirus në vend.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi gjithashtu edhe katër të vdekur të tjerë duke e çuar në 38 bilancin e viktimave nga COVID-19.
Sipas statistikave të vendit tonë, nga 862 të infektuarit e deritanishëm, janë regjistruar 38 të vdekur si pasojë e COVID-19. Më shumë se 65 për qind të të vdekurve janë mbi 60 vjeç.
Shkalla e të sëmurëve është 40,3 për qind në 100 000 dhe për sa i përket shkallës së të infektuarve në Europë është akoma e ulët, mendojnë epidemiologët.
Ata presin që piku i sëmundjes të jetë në fund të prillit dhe më pas numri i të infektuarve të fillojë të ulet.
Po ashtu, gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 330 teste. Numri i testeve në mbarë vendin arrin në 8 552.
Javën e kaluar në Maqedoninë e Veriut kanë hyrë në fuqi masa të reja për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, e cila kufizon lëvizjen e lirë gjatë ditëve të punës nga ora 16:00 deri në ora 05:00 dhe gjatë fundjavave, duke filluar nga e premtja në ora 16:00 deri të hënën në ora 05:00./ /ec/






















