TIRANË, 9 prill/ATSH/ Gjatë fashës së orarit kur kanë të drejtë të lëvizin, qytetarët e Elbasanit po respektojnë distancimin fizik nga njëri-tjetri, duke qëndruar në pritje tek rrathët e verdhë të vendosur pranë pikave ku grumbullohen më së shumti njerëzit për të marrë shërbime.
Nga vëzhgimi që sjell ATSH-ja paraditen e së enjtes së 9 prillit, qytetarët ruajnë distancimin fizik dhe qëndrojnë në pritje për të marrë shërbimin e tyre tek rrathët e verdhë, të vendosur me qëllim mosrrezikimin e prekjes nga COVID-19.
Agjencia Telegrafike Shqiptare sjell foto me pamje nga pika të ndryshme në Elbasan, ku ofrohen shërbime për qytetarët dhe ku janë vendosur pikat e verdha të cilat përcaktojnë edhe qëndrimin e qytetarëve në distancë fizike nga njëri-tjetri. Rrathët e verdhë janë vendosur pranë Postës, bankave të ndryshme, tregjeve etj.
Vetë Kryeministri Rama kërkoi që ky standard i aplikuar së pari nga bashkia e Elbasanit të shtrihej në të gjithë Shqipërinë, me qëllim daljen nga kjo luftë me sa më pak viktima. z.tosku/ /a.a//r.e/





















