COVID-19/ Lleshaj: Do thellojmë masat e sigurisë në Shkodër, jemi në një kohë anormale dhe duhet ndërgjegjësim

TIRANË, 6 prill/ATSH- A. Fortuzi/ Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka udhëtuar të hënën drejt Shkodrës, ku ka theksuar se do ketë thellim të masave të sigurisë, sa i takon parandalimit të përhapjes së COVID-19.

Ministri i Brendshëm, gjatë vizitës në Shkodër u shoqërua nga kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Në një prononcim për gazetarët, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, theksoi se mosrespektimi i masave të sigurisë ka sjellë dhe rritjen e numrit të të prekurve me COVID-19 në Shkodër.

“Do të thellojmë masat e sigurisë në Shkodër, me qëllim që të evitojmë grumbullimet. Nuk është koha për të bërë ceremoni as për të respektuar të vdekurit siç meritojmë apo gëzimet. Jemi në një kohë anormale dhe duhet ndërgjegjësim. Mesazhi është të bëjmë maksimumin për të frenuar dhe kapërcyer këtë situatë jemi në fazë kritike dhe maksimumi që mund të bëjmë është: Kush nuk ka punë të rrijë në shtëpi shkurt e saktë. Nuk kemi kohë të bëjmë takime e biseda”, – theksoi Lleshaj.

Gjatë vizitës Lleshaj dhe Veliu kryen inspektime në disa tregje, si në Rus, Zdrale dhe zona të tjera.

“Në Shkodër sot po inspektojmë masat e marra në zbatim të vendimeve për parandalimin ose frenimin e përhapjes së virusit korona. Shohim se masat e marra janë relativisht të mira, megjithatë ka hapësirë për ndërhyrje të forta sidomos në Shkodër në drejtim të forcimit të masave të ruajtjes së qytetarëve nga përhapja e koronavirusit”, – tha Lleshaj.

“Pikat më të dobëta që konstatoj janë tregjet e hapura, tregjet ushqimore, të cilat nuk janë të disiplinuara dhe nuk respektojnë ato parametra minimale që duhen respektuar për mbrojtjen e qytetarëve. Tregje ku shitet jashtë çdo kriteri, ku shitet në rrugë, ku ka shitës më shumë se blerësa, dhe ku masat e aplikuara janë të pamjaftueshme”, – vijoi Lleshaj.

“Për këtë arsye kam dhënë detyra për Prefektin dhe drejtorin përkatës të Policisë në Shkodër, që duke filluar nga nesër, masat në këtë drejtim, të forcohen në maksimumin e tyre. Tregjet informale do të pushojnë së funksionuari, për arsye se janë vatra infektimi dhe vatra të përhapjes së të keqes. Ndërsa për sa u përket tregjeve të formalizuara, tregjeve të licencuara, duhet që atje të forcohen masat e sigurisë. Hyrjet dhe daljet duhet të jenë të ndara, pra tregjet duhet të kenë një hyrje prej nga hyhet dhe një dalje ku dilet dhe jo një hyrje dhe dalje të përbashkët”, – shton Lleshaj.

“E dyta numri i vizitorëve në tregje, ose i klientëve në tregje duhet të jetë i kufizuar, dhe Policia duke mbajtur në kontroll hyrjet dhe daljet e tregjeve, do të ndalojë ose parandalojë, mbingarkimin e tregjeve nga klientë të shumë”, – theksoi Lleshaj.

“Kështu që do të thotë hyjnë dhjetë, dalin dhjetë. Ndërkohë që për të gjitha njësitë e tjera të shërbimeve, kryesisht banka, posta dhe njësi të tjera, duke filluar nga nesër, do të jenë të detyruara që të kufizojnë hyrjet, duke vendosur një sistem radhe me distanca rigoroze, të cilat do të kontrollohen nga Policia e Shtetit”, – vijon ministri i Brendshëm.

“Pra, nuk mund të lejohet grumbullim njerëzish nëpër hyrje të institucioneve të shërbimit. Por duhet që njerëzit të vendosen në radhë rigorozisht të përcaktuara, të shënjuara në dysheme, në mënyrë që të parandalojmë më çdo kusht përhapjen e virusit, i cili në Shkodër ka njohur një ritëm krejtësisht të papranueshëm dhe mund të na rrezikojë përpjekjet gjigante, që janë bërë në të gjithë Shqipërinë për mbrojtjen e qytetarëve”, – tha Lleshaj.

“Prefekti i qarkut sot do të zhvillojë një mbledhje urgjente të Komitetit të Emergjencës Civile për të diskutuar këto prioritete, për të ngarkuar me përgjegjësi dhe për të dhënë detyra për autoritetet përkatëse. Qofshin ato autoritetet e bashkisë, qofshin ato autoritetet e kontrollit të ushqimit, e kontrollit shëndetësor, me qëllim që të gjithë aktorët të punojnë në kuadër të një përpjekjeje të përbashkët për të bërë maksimumin që në Shkodër të aplikohen standardet më të larta të sigurisë dhe jo më të ulëtat, siç duket aktualisht”, përfundoi Lleshaj.

/a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.