TIRANË, 30 mars/ATSH/ Spitali “Shefqet Ndroqi”, i tranformuar në spital COVID-2, i ka të gjitha kapacitetet për t’iu përgjigjur sfidës së luftës me koronavirusin.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico u shpreh se ky spital ka një kapacitet prej 190 shtretërish si dhe ekip mjekësh reanimatorë, infermierë, radiologë etj.
“Spitali “Shefqet Ndroqi” edhe përpara transformimit në spital COVID-2 me një pacient të shtruar, është një spital që i ka të gjitha kapacitetet: 190 shtretër dhe një ekip reaminator mjekësh, mbështetje infermierë, radiologë, ndihmësradiologë të aftë që t’i përgjigjen kësaj lloj sfide”, – tha Fico.
Sipas saj, strukturat përkatëse të Ministrisë së Shëndetësisë do të bëjnë transparente në kohë reale, përditësimin e situatës së pacientëve me COVID-19.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka hartuar skenarë për situatën e krijuar nga COVID-19, ku trajtimi i pacienëve të infektuar do të kryhet në spitalin e dytë COVID, pra te “Shefqet Ndroqi” dhe pacientët e këtij të fundit janë transferuar aktualisht në spitalin e Elbasanit. z.tosku/






















