Ballina Aktualitet

Presidenca kroate e BE-së/ Ruçi: Shqipëria ka bërë gjithçka për çeljen e negociatave

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ – Shqipëria ka bërë gjithçka për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian gjatë presidencës kroate.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot Ambasadorin e Kroacisë, Zlatko Kramarić.

Gjatë takimit, Ruçi vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer politik si edhe partneritetin strategjik midis të dy vendeve.

“Kroacia dhe Shqipëria janë partnerë strategjikë dhe nuk kanë asgjë çështje që na ndan, të gjitha na bashkojnë. Bashkëpunimi i shkëlqyer politik duhet të shoqërohet edhe nga rritja e bashkëpunimit ekonomik, si edhe prezenca më e madhe e investimeve kroate në Shqipëri”, tha Ruçi.

“Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme për integrimin europian të Shqipërisë dhe kemi bërë gjithçka për të merituar çeljen e negociatave gjatë presidencës kroate të BE-së. Ju jemi gjithashtu mirënjohës për mbështetjen e integrimit të Kosovës si edhe kontributin e spikatur për ruajtjen dhe promovimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Diaspora shqiptare në Kroaci është një urë e fuqishme për mbështetjen e bashkëpunimit dypalësh”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Ambasadori Zlatko Kramarić vlerësoi vizionin e Shqipërisë për bashkëpunimin me Kroacinë, partneritetin strategjik politik, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe të rritjes së investimeve, si edhe garantoi se përpjekjet e Presidencës Kroate të BE-së do të jenë maksimale për mbështetjn e Ballkanit Perëndimor dhe çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

/gj.mima/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPaketa Anti KÇK/ Balla: Dy ligje të tjera për maksimizimin e sekuestrimit të pasurive të paligjshme
Artikulli tjetërOFL kërkesë për vetëdeklarim pasurie dy të dënuarve për trafik të lëndëve narkotike