Shërbimet online dhe reduktimi i tarifave/ 100 mijë orë, 2.5 miliardë lekë karburant e para të kursyera për qytetarët

TIRANE, 26 dhjetor/ATSH/ Nga 2 milionë qytetarë që kanë marrë shërbim pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor gjatë këtij viti 400 mijë janë kryer online.

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja deklaroi sot se kemi bërë të mundur rritjen me 700% të shërbimeve online gjatë 2019 krahasuar me 2018.

“U kemi shërbyer gjithsej 2 milionë qytetarëve dhe 400 mijë aplikime ishin të plota online. Bëhemi gati të bëjmë të mundur që në 2020 të ofrojmë shërbimet tërësisht online. Janë gjithsej 50 shërbime, pasi disa prej atyre që ne ofrojmë duhet të bëhen me praninë fizike të qytetarit për çështje sigurie”, – tha Gonxhja, gjatë prezantimit të shërbimeve online që ofrohen pranë drejtorisë rajonale të Tiranës, ku e pranishme ishte edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Koha e marrjes së shërbimeve tha ai, është ulur me 18.2% dhe kosto 12.5%.

“Kemi llogaritur 100 mijë orë, 2.5 miliardë lekë karburant e tarifa të kursyera për qytetarin nga shërbimet online që kemi ofruar dhe tarifat që kemi hequr apo rregulluar”, – deklaroi Gonxhja./a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.