BUDAPEST, 17 dhjetor /ATSH-AFP/- Kryebashkiakët progresistë të Budapestit, Varshavës, Pragës dhe Bratislavës nënshkruan sot “Paktin e Qyteteve të Lira”, si kundërpeshë ndaj populistëve në pushtet në vendet e tyre përkatëse, si edhe për forcimin e lidhjeve me Bashkimin Europian.
Ceremonia që mblodhi së bashku drejtuesit e katër kryeqyteteve u zhvillua në Budapest, ku kryetari i ri i qendrës së majtë, Gergely Karacsony, arriti në tetor një fitore të papritur ndaj kandidatit të qeverisë, që drejtonte prej nëntë vitesh vendin.
Në Varshavë, kryebashkiaku i qendrës, Rafal Trzaskowski, fitues i zgjedhjeve të vitit 2018 kundër një kandidati konservator nacionalist, është gjithashtu një figurë simbol i opozitës.
“Populizmi është një përgjigje e gabuar dhe e marrë lehtë e problemeve”, deklaroi kryebashkiaku i Pragës, Zdenek Hrib, anëtari 38-vjeçari partisë “Pirate” dhe kritik kundrejt pushtetit të kryeministrit dhe sipërmarrësit çek, Andrej Babis.
Nënshkruesi i katërt i paktit është kryebashkiaku i Bratisllavës, Matus Vallo, dalë nga aktivistët vendas dhe pa përkatësi partiake në një vend të qeverisur nga e majta populiste sllovake.
Deklarata përcakton angazhimin e tyre të përbashkët për të promovuar lirinë, dinjitetin njerëzor, demokracinë, barazinë, sundimin e ligjit, drejtësinë sociale, tolerancën dhe diversitetin kulturor./ /ervo/ a.jor.























