Moti i keq me erëra të forta në bregdet/ Drejtoria Detare apelon për masa nga mjetet lundruese

TIRANË, 12 nëntor/ATSH/- Drejtoria e Përgjithshme Detare i bëri apel sot subjekteve që operojnë në fushen e detarisë të marrin masa për sigurimin e mjeteve në porte, pasi në datat 12-13 nëntor moti do të përkeqësohet.

“Bregdeti ynë do të përfshihet nga era me drejtim jug-lindje me shpejtësi deri në 40 nyje dhe forca e detit do të jetë 7 shkalla Boufort. Zonat me mot më të përkeqësuar do jetë Kanali i Otrantos dhe Gjiu i Vlorës”, bën të ditur Drejtoria e Përgjithshme Detare.

Pritet që deri në mesnatën e ditës së mërkurë era dhe deti të kenë të njëjtin intensitet duke përfshirë gjithë bregdetin shqiptar. Pas mesnatës së ditës së mërkurë parashikohet një rënie graduale e forcës së erës dhe detit.

“Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese”, shprehet Drejtoria e Përgjithshme Detare. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.