TIRANË, 4 shtator/ATSH/ Për herë të parë në Këshillin Kombëtar të Fëmijëve, ata kanë zërin e tyre.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka mbledhur Këshillin Kombëtar për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.
Gjatë takimit ku morën pjesë përfaqësues të ministrive, drejtuesi i OSBE-së në Shqipëri, organizata të shoqërisë civile dhe për herë të parë me statusin e vëzhguesit, edhe përfaqësues të fëmijëve. Manastirliu theksoi se do të miratohet një plan veprimi për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi ekonomik duke ndërtuar një ndërhyrje strategjike në zemër të problemit.
“Plani Kombëtar 2019-2021 për Mbrojtjen e Fëmijëve në shfrytëzim ekonomik dhe situatë rruge i mbështetur nga OSBE që miratojmë sot do të jetë i hapur për rekomandime para se ta depozitojmë në Kuvend. Janë 265 masa dhe 75 tregues për realizimin e objektivave në mbrojtje të drejtave të fëmijëve. Të jemi bashkë për të ndërtuar një ndërhyrje strategjike që të mos kemi përsëritje të fenomenit të shfrytëzimit të fëmijëve. Duhet ndërhyrë në zemër të problemit, për të zbuluar shkakun pse ndodh ky fenomen” – u shpreh Manastirliu.
Duke theksuar rëndësinë e promovimit të Linjës së Këshillimit për Fëmijë “Alo 116”, Manastirliu theksoi se eliminimi i të gjitha formave të dhunës ndaj fëmijëve është detyrë e drejtëpërdrejtë e bashkive për ta luftuar këtë fenomen.
“Një tjetër pikë që e konsideroj me rëndësi është eliminimi i të gjitha formave të dhunës ndaj fëmijëve. Është detyrë e të gjitha Bashkive për t’u angazhuar drejtpërdrejt për të luftuar këtë fenomen dhe menaxhuar rastet. Në kuadër të Fondit Social qeveria do të mbështesë bashkitë për të ngritur shërbime të reja sociale, pasi ato të kenë miratuar Planet Sociale duke na dhënë një panoramë të qartë të nevojave për shërbime të reja sociale” – tha ministrja.
Roli i këtij Këshilli është i rëndësishëm për të siguruar dhe reflektuar rregullisht sesi po arrihen rezultate dhe progres në kuadër të axhendës 2017-2020 për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, por dhe më gjerë si shoqëri që fëmijët të jetojnë të sigurt, të shëndetshëm, të gëzuar dhe me shpresë për të ardhmen. Ky këshill nëpërmjet një qasje të koordinuar ndër-sektoriale synon bashkëpunimin si nga institucionet shtetërore por edhe nga shoqëria civile për të punuar më fort për respektimin dhe në realizimin e të drejtave të fëmijëve. z.tosku/























