Ambasadori spanjoll: Dialog për zgjidhjen e krizës duke respektuar ligjin dhe Kushtetutën

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Ambasadori spanjoll, Vicente Canelles Montero ka komentuar situatën politike në vend, duke apeluar për zgjidhje të saj përmes dialogut mes palëve e jo nga ndërkombëtarët.

Gjendja e krijuar, sipas tij, po ndikon në rrugëtimin e vendit drejt integrimit europian.

“Është e vërtete që situata politike në Shqipëri është e tensionuar, por nuk janë ambasadorët e huaj ata që mund të vendosin sesi mund të kapërcehet kjo gjë. Vetëm shqiptarët mund të vendosin, sigurisht duke respektuar ligjin, shtetin e të drejtës, e Kushtetutë. Jeni ju ata që duhet të vendosni sesi mund të dilni nga ky moment i vështirë. Për mendimin tim ne të huajt jemi këtu vetëm për të vëzhguar situatën. Nuk besoj se ambasadorët duhet të ndërhyjnë në punët e brendshme të vendit”, – tha Montero në një prononcim për mediet nga Korça.

Lidhur me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, ambasadori spanjoll tha se “këto janë vështirësi që duhet t’i zgjidhni. Duhet të gjendet një zgjidhje dhe pa kaluar shumë kohë madje”.

Gjithashtu, Montero u shpreh edhe në lidhje me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Spanja ka qenë gjithmonë pozitive në lidhje me perspektiven e Shqipërisë, por vendit duhet fillimisht të zgjidhë problemet e tij sepse gjendja aktuale ia komplikon rrugën drejt bllokut”, – theksoi ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.