Denaj: Gjetëm 1600 biznese të regjistruara në booking por jo në tatime, paligjshmëria nuk tolerohet

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se “nga inspektimet në terren në kuadër të operacionit kundër informalitetit gjetëm 1600 biznese të regjistruara në booking por jo në organet tatimore”.

Në një intervistë për ERTV, Denaj dha shifrat e rezultateve të para të kontrolleve të ushtruara në terren nga ana e administratës tatimore, ndërsa theksoi se strukturat e linjës kanë përgatitur plan operacion për sektorët: turizëm, ndërtim, 3 nënprodukte të akcizës (karburanti, cigarja dhe pijet alkoolike).

“Në sektorin e turizmit, nga 1 korriku janë kryer 1173 verifikime ku janë konstatuar 417 shkelje. Kemi evidentuar dy fenomene që vazhdimisht përsërisin vetveten në gjithë bregdetin. 1600 biznese të regjistruara në booking por jo në organet tatimore. Në vajtjet e mia në terren dhe në komunikimin tim me bizneset, ndërgjegjësimi ka qenë në fokus dhe shumica e bizneseve kanë pasur neglizhencë. Regjistrimi kryhet vetëm brenda 24 orëve”, – tha Denaj.

Ajo tha se “ne kemi plan operacional për të katërt sektorët”. “Së pari, turizmin, së dyti, sektorin që përfshin 3 nënprodukte të akcizës, karburanti, cigarja dhe pijet alkoolike, ku edhe janë identifikuar subjektet me risk. Të paktën 160 tatimpagues që operojnë në fushën e karburanteve, 50 prej tyre janë analizuar dhe 30 do të kalojnë për hetime. Sektori i pestë është ndërtimi i cili është kompleks në mënyrën se si e shfaq evazionin. Në sektorin e ndërtimit, në kontekstin e riskut ne kemi evidentuar 453 subjekte”, – deklaroi Ministrja e Financave.

Lidhur me masat e marra në raste shkeljesh, Denaj tha se “kur biznesi nuk është regjistruar, është vendosur shiriti, sepse duhet të zbatojmë ligjin, por ama është kërkuar që biznesi të shkojë të regjistrohet dhe brenda 24 orëve janë hequr shiritat”. Më e vështira sipas saj, do të ndodhte nëse mbyllja do të ndodhë për një muaj, kur ka përsëritje të evidencës që kuponi tatimor nuk jepet. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.