TIRANË, 18 korrik/ATSH/- Plarent Ndreca është emëruar Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme. Ai zëvendëson në këtë detyrë Dritan Palnikajn, i cili është emëruar në një detyrë të re, në kabinetin e Kryeministrit.
Prezantimi i Ndreca është bërë në ambientet e Ministrisë së Brendshme në një ceremoni, ku mori pjesë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, trupa e lartë drejtuese e Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të varësisë.
Ministri Lleshaj ka vlerësuar punën dhe kontributin e Palnikaj në pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe është shprehur i bindur se Ndreca do të sjellë impulse të reja në drejtimin e administratës së Ministrinë e Brendshme, falë eksperiencës së deritanishme.
Më herët, Plarent Ndreca, i diplomuar si jurist, ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, si dhe Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit. /a.g/






















