Meta, një prej bashkëkryetarëve të opozitës në Presidencë

TIRANË, 18 korrik /ATSH – I. Vata/ – “Ilir Meta është shndërruar në bashkëkryetar të opozitës në Presidencë që qan hallet e Saliut, Lulit dhe të Monikës”, – deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ndërsa fliste në Kuvend për ndryshimet në Kodin Penal për sa i përket dhunës.

Balla tha se Presidenti i Republikës Ilir Meta do t’i kthejë në shtator ndryshimet në Kodin Penal.

“Nuk kam dyshim se Meta do na i kthejë për t’i rivotuar edhe një herë në shtator, si një prej bashkëkryetarëve të opozitës në Presidence. Kur pashë se presidenti ktheu edhe edhe ndryshimet në ligjin e vetëqeverisjes vendore, që mundësoi me në fund në Shqipëri në organet e pushtetit vendorë të ketë një  zyrë, një njeri që të kujdeset për çdo vërtetim, për çdo hall që kanë 2 milion shqiptarë  që janë jashtë territorit të Shqipërisë nuk kamë asnjë dyshim se Ilir Meta nuk ka më vesh e sy se çfarë duan shqiptarët, ka vetëm sy e vesh për hallet e Lulit e Monikës”, tha Balla, duke shtuar se e ka kthyer presidencën në institucionin e qarjes së halleve të Saliut, Lulit dhe Monikës.

Në vijim, Balla shton se po e kthen Ilir Meta edhe këto ndryshime në Kodin Penal aq na bën, se me të filluar shtatori, këtu do jemi dhe do t’i rivotojmë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.