Ballina Ekonomi

Projekti SUPAIR mbledh përfaqësuesit e porteve fqinje në Durrës

TIRANË, 25 qershor/ATSH/- Përfaqësues të porteve të Adriatikut dhe Jonit kanë diskutuar këto ditë në Durrës mbi hapat e mëtejshëm në zbatim të projektit SUPAIR, i cili përcakton se “një port i qëndrueshëm me emetim të ulët karboni është ai, që në konsultim të ngushtë me përdoruesit dhe palët e interesuara,  punon vazhdimisht me përgjegjësi, për të siguruar begatinë ekonomike dhe përmirësimin afatgjatë të cilësisë së jetës në zonën e portit, si dhe të komunitetit urban që ai shërben”.

Në takimin e zhvilluar në mjediset e Autoritetit Portual Durrës përfaqësuesit e vendeve të ndryshme sollën përvojat dhe rezultatet e fundit që janë arritur në zbatim të këtij projekti.

Autoriteti Portual Durrës në veçanti është i angazhuar në planin e tij të veprimit, i cili fokusohet në “Rivitalizimin e Hapësirave të Gjelbra, krijimin e zgjidhjeve miqësore me mjedisin dhe zbatimin e sistemeve multimodale  të transportit”.

Portet e përfshirë në projektin SUPAIR që do të vijojë deri në fund të këtij viti janë: Autoriteti Portual i Rrjetit të Adriatikut Lindor (IT); Autoriteti Portual i Detit Adriatik Verior (IT); Autoriteti Portual i Pireut (GR); Autoriteti Portual Selanik (GR); Porti i Koperit (SLL); Autoriteti Portual Durrës (AL); Porti i Bar – Tivar (MiZ). /k.s/ /a.g/

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMbi 19 500 shërbime përfituan online tatimpaguesit gjatë muajit maj
Artikulli tjetërSHBA – Bolton: Dera për negociata reale me Iranin është e hapur