Ballina Ekonomi

Mbi 19 500 shërbime përfituan online tatimpaguesit gjatë muajit maj

TIRANË, 25 qershor /ATSH/- Shërbimet e Administratës Tatimore që ofrohen online nëpërmjet portalit e-Albania përbëjnë më shumë se 80% të totalit, krahasuar me të njëjtat shërbime që ofrohen në sportelet tona të shërbimit për tatimpaguesit.

Për muajin maj, janë më shumë se 19 500 shërbime (vërtetime, certifikatë rezidence, konfirmim listëpagesash, etj.), të cilat tatimpaguesit dhe individët i kanë përfituar nëpërmjet portalit, ndërkohë që në sportelet e shërbimit janë lëshuar rreth 2700 dokumente. E shprehur në përqindje, shërbimet online zënë 88%, krahasuar me 12% shërbime në sportel, ndërsa në tërësi për 5-mujorin e parë të këtij viti, raporti është 81% me 19% (71.500 me 16.500).

Ofrimi i shumë shërbimeve në rrugë elektronike ka bërë që të reduktohen ndjeshëm kontaktet e drejtpërdrejta me administratën, radhët e gjata dhe koha e pritjes.
Tatimpaguesit apo individët e interesuar, i përfitojnë këto shërbime drejtpërdrejtë në portalin e-Albania, me disa klikime të thjeshta, duke kursyer kohë dhe burime njerëzore. Ato janë dokumente të cilët kanë vlefshmëri ligjore të njëjtë me dokumentet që lëshohen në sportele.

Administrata Tatimore inkurajon marrjen e shërbimeve të saj përmes portalit e-Albania dhe mbetet e angazhuar maksimalisht për të ofruar për tatimpaguesit, në çdo kohë e me sa më pak kosto shërbime cilësore. e.xh/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Pakti për Universitetin”, Shahini: Hapi tjetër, cilësia në universitete
Artikulli tjetërProjekti SUPAIR mbledh përfaqësuesit e porteve fqinje në Durrës