Ballina Flash

“Pakti për Universitetin”, Shahini: Hapi tjetër, cilësia në universitete

TIRANË, 25 qershor/ATSH/ – Të gjitha pikat e paktit social bërë me studentët që protestuan në dhjetor të 2018, do të realizohen.

Kështu u shpreh ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini e cila tha se hapi tjetër i “Paktit për Universitetin” lidhet me cilësinë në arsim.

“Një pjesë e premtimeve tona janë realizuar dhe kjo më jep shpresë që do t’i çojmë deri në fund. Protesta e studentëve tërhoqi vëmendjen jo vetëm të Ministrisë së Arsimit, por të gjithë qeverisë dhe kjo i dha një shtysë. Erioni i bëri rikonstruksionin e konvikteve dhe të njëjtin model e kemi marrë edhe për qytete të tjera dhe po i bëjmë. Ne ndamë një buxhet për Tiranën, por të gjithë buxhetin që kemi pasur po e ndajmë për konviktet. Karta e Studentit u realizua me anë të partneritetit me bashkinë e Tiranës dhe këtë model po e shohim që ta bëjmë edhe për universitetet e tjera edhe për studentët e tjerë, në mënyrë që viti i ri akademik t’i gjejë më kartë studenti. Duhet ta çojmë më tej paktin sepse do të ndryshojë cilësinë në arsim. Janë hapa të nevojshëm që ta arrijmë aty ku duhet”.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë komentoi edhe situatën aktuale politike. “Unë kam qenë e përfshirë në zgjedhje si shoqëri civile. Unë kam përvojë për zgjedhjet në Shqipëri në vitin 2009, 2013 edhe pak në ato të 2015-s. Ajo që më ka lënë përshtypje është se në ato të 2013 dhe 2015 është mbyllur një proces zgjedhor që ka pasur kontestime nga pala humbëse. Unë jam shumë e zhgënjyer me atë që po ndodh tani, pasi jemi në një moment që Shqipëria duhet të shihte përpara dhe të ndërtonte të ardhmen e vetë. Populli nuk është pjesë e dhunës apo protestave, por pamjet e dhunshme po transmetohen në kryeqytetet e vendeve që mund të japin një vendim”, – tha ajo.

Lidhur me maturën shtetërore, Shahini mohoi akuzat për dalje të tezave të provimit.

“Ka pasur disa akuza nga PD e LSI. Nuk e kuptoj pse një gjë kaq teknike si testi i maturës të bëhet kaq politik. Një mësuesi që është ideologjikisht i djathtë që vendos të cenojë këtë proces, duke nxjerrë një foto pas një apo dy orësh që ka nisur testi, ne nuk kemi se çfarë t’i bëjmë. Testi nuk ka dalë asnjëherë para se të administrohet”, – sqaroi ministrja.

Ndërkaq, rikandidimin e Erion Veliajt në krye të bashkisë më të madhe në vend, ajo e konsideron gjënë e duhur pasi sipas saj, Tirana për të cilën ai ka punuar ka ndryshuar totalisht.

“Me Erionin kam punuar prej vitit 2007-2008. Ne kemi qenë pjesë e të njëjtës organizatë. Super kurioz dhe shumë punëtor, që atëherë më ka pas lënë shumë përshtypje. Puna që ka bërë në bashkinë e Tiranës është e padiskutueshme. Tirana është transformuar rrënjësisht. Plani që ka Erioni për 4-vjeçarin e dytë duhet të mbështetet”, – theksoi ajo.

z.tosku/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPukë, Gjonaj në Bicaj: Ndërhyje në ujësjellës dhe ndërtimin e rrugëve
Artikulli tjetërMbi 19 500 shërbime përfituan online tatimpaguesit gjatë muajit maj