TIRANË, 23 mars/ATSH/- “Tirana ka njohur zhvillim, teksa për vite me radhë drejtohej nga sot kryeministri, Edi Rama. Në 2015-ën ne morëm përsipër të zgjojmë nga gjumi 4-vjeçar kryeqytetin dhe të nisim një sërë projektesh, që po e transformojnë Tiranën në një qendër europiane”.
Kështu deklaroi sot në fjalën e tij në aktivitetin “Bashkia që duam”, në sesionin e dytë të kongresit të Partisë Socialiste në sheshin “Nënë Tereza”, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Duke konfirmuar vullnetin dhe dëshirën e tij për të vijuar punën e nisur edhe për 4 vitet e ardhshme, Veliaj tha se do të çojmë deri në fund projektet e nisura, por do të nisim edhe të tjera, që do t’i ndryshojnë fytyrën kryeqytetit dhe njësive të tjera administrative të bashkisë së Tiranës.
“Nëse ne 100 mijë vetë që jemi sot në shesh, takojmë nga një njeri që nuk i është bashkuar ende rrugës tonë të ndryshimit dhe ta bindim të na bashkohet, atëherë do të kemi një fuqi të pandalshme të ndryshimit”, – theksoi Veliaj.
Duke përmendur investimet e bëra në çdo njësi të kryeqytetit, Veliaj tha se “në njësinë 3 edhe sot po punojmë tek rruga “Xhanfize Keko” në gjithë territorin e njësisë, gjimnazi i ri “Çajupi” është një xhevahir i kësaj njësisë. Katër vite më përpara diskutonim sa herë do të përmbytet bregu i lumit. Kemi katër vjet e kemi harruar fjalën përmbytje në Tiranë jo vetëm tek bregu i Lumit, por edhe në Lanë, Don Bosko dhe Erzen. Për ata që janë sot në shkollën model “Ardian Klosi”, ajo është kthyer në një epiqendër komunitare, aty ku na merrte lumi tani na merr para dija, talenti, dhjetat dhe merita e gjithë atij komuniteti”.
“Në njësinë 5 është transformuar rruga “Komuna e Parisit” dhe të gjitha lagjet ku kemi ndërhyrë në këtë njësi. Në kombinat në lagjet “Musine Kokalari” dhe “Misto Mame” u vendos sot ndriçimi Led, ashtu siç është hyrja e Tiranës nga “Dritan Hoxha”, ashtu është edhe hyrja nga Kombinati. Në njësinë 7 në fushën e aviacionit, shkolla “Dhora Leka” sapo po përfundon. Ndërsa në njësinë 8 tek Pazari i Ri, sot kemi fituar bindshëm edhe në njësitë që ishin të krahut tjetër. Kur nuk rregullon dot rrugicën e shtëpisë tende nuk rregullon dot Tiranën, jo më Shqipërinë”, – theksoi Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj tha se “pazari i ri është etalon se çfarë ndodh me rilindjen urbane kudo ku PS dhe Rama dhe çdo i zgjedhuri ynë mund të bëjë diferencën. Njësia 9, më e bekuara, fillon tek sheshi Skënderbej deri tek bulevardi i ri. Shumë shpejt do të fillojmë bulevardin “Zogu i parë”, kush ka për të blerë prona të shikojë njësinë 9. Ndërsa në njësinë 10 mbaruam shkollën time 9 vjeçare “20 vjetori”. Jam krenar për bibliotekat e reja dhe dashurinë që ai komunitet i jep njësisë sonë”.
Në lidhje me investimet në Laparakë, Veliaj tha se “e gjithë zona është kthyer në kantier, ka ardhur koha të shkojmë në institut tek treshi, në Kodër Kamëz dhe Laprakën ta kthejmë bindshëm me PS”.
“Bulevardi i ri i dytë është në Kashar, po dalim nga lluca e llumi dhe kemi bulevard poshtë shtëpisë. Në Vaqarr sapo hapëm shkollën, mbollëm pemë për të rikuperuar atë që i bëmë natyrës”, – tha Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj përmendi gjithashtu edhe investimet në Pezë, Ndroq, Krrabë, Bërzhitë, Farkë, Petrelë, Dajti, etj.
Po ashtu Veliaj tha se “a jemi gati të vazhdojmë këtë transformim dhe Piramidën t’ia kthejmë fëmijëve ku të marrin kurse të teknologjisë së informacionit, jeni gati që bulevardin e ri ta çojmë deri në fund dhe që unazën ta mbarojmë. Ju jap fjalën se PS do të jetë numër 1 edhe në zonën e Astirit. Përtej një minorance që bën zhurmë ka një shumicë të heshtur që nuk e pranon bullizmin, nuk e pranon që një grup i vogël i përdorur të na caktojë axhendën e shumicës së njerëzve. Ne do të fitojmë në Astir dhe do të kemi një unazë moderne siç ka nevojë Tirana sot, a jemi gati për kopshtin e ri zoologjik, ku të gjithë fëmijët e Tiranës siç kanë parë 43 kënde lojërash siç do hapim tjetrin në zonën jugore të liqenit, të kenë edhe një kopsht zoologjik. Bashkë me kopshtin botanik, që do të jetë një xhevahir i rilindjes kombëtare. A jeni gati për një teatër të ri kombëtar, që zëvendëson një karakatinë 100 vjeçare dhe krijon një hapësirë për 100 vitet e ardhshme të Tiranës që duam. A jemi gati për fitore në të gjithë Shqipërinë”. /k.s/























