TIRANË, 12 mars/ATSH-Maela Marini/ “Biznesi është në vështirësi ekonomike nga çmimi i lartë i naftës, çmimi i lartë i energjisë dhe taksat e larta”, deklaroi sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një takim me biznesin fason në Korçë.
Basha tha se, “Partia Demokratike ka plan të qartë për biznesin dhe çlirimin e ekonomisë”, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e 16 marsit.
“Shteti sot mendon se si të pasurojë veten në kurriz të shoqërisë. Shqetësimi i parë i shtetit nuk duhet të jetë sa taksa do vjedhë, duke shpikur lloj-lloj formulash, por duhet të jetë se sa vende pune do të krijojë dhe aty ku janë vendet e punës, si mund të përmirësohen kushtet e rrogat”, tha Basha.
Konkretisht, Basha theksoi se industrisë fasone në vend mund t’i vihet në ndihmë duke ulur çmimin e naftës, gjë që do të ulë koston e prodhimit dhe do t’i krijojë mundësi sipërmarrësit të krijojë vende pune dhe të rrisë rrogat.
“Ulja e çmimit të naftës me 300 lekë, ulja e çmimit të energjisë me 35% për të gjithë industrinë që prodhon dhe sistemi i taksës së sheshtë 9% janë masat që ne do t’i marrim menjëherë. Ato synojnë ta bëjnë biznesin më konkurrues. Ndaj ka ardhur koha e një ndryshimi të madh”, tha Basha.
Beteja, sipas tij, nuk është për pushtetin e opozitës, por për të vendosur një raport tjetër mes qeveritarit dhe qytetarëve.
“Kjo betejë nuk bëhet as për pushtetin tim, as të PD-së, por për pushtetin tuaj, që ju të jeni zotër të shtëpisë tuaj. Për këtë shërben instrumenti i votës së lirë. Ta konsiderojmë këtë një pakt kombëtar për të ndërtuar një Shqipëri ndryshe”, tha Basha, ndërsa theksoi se kërkesë e opozitës janë zgjedhjet e parakohshme. /j.p/





















